Aktuale
“Adem Jashari” dhe Qeveria investojnë në zgjatjen e pistës e në ndriçim
Mjegulla po shkakton telashe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Vetëm gjatë këtij viti, si pasojë e mjegullës si dhe të motit jo të mirë, 96 fluturime janë kryer me vonesë e shumë të tjera janë anuluar. Zyrtarë për marrëdhënie me publikun në Aeroport, thonë se po punojnë në zgjatjen dhe ndriçimin e pistës, në mënyrë që të tejkalohen pengesat.
“Deri më tani gjithsej kemi pasur 96 fluturime që janë nisur me vonesë dhe për shkak të motit kanë arritur me vonesë në Prishtinë. DIVERT kemi pasur 16 fluturime. 9 fluturime kanë bërë shmangie dhe nuk janë kthyer në Prishtinë, këto llogariten si të anuluara. Gjithsej 12 fluturime janë anuluar për shkak të motit, të cilat edhe nuk janë nisur nga destinacioni përkatës”, u shpreh ai.
Sipas Gashit, për të ateruar me sukses aeroplanët, dukshmëria duhet të jetë nga 250 deri në 300 metra. Gashi thotë se Aeroporti i Prishtinës po punon për tejkalimin e “sfidës mjegull”.
“Aeroporti në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës është duke bërë investimin në pistë, duke zgjatur atë dhe duke rritur kapacitetin e ndriçimit. Me këtë rast, fluturimet do të mund të ateronin edhe vetëm në 50 metra dukshmëri dhe kjo nënkupton që mjegulla nuk do të jetë
më problem për aterrime gjatë viteve në vijim”, shtoi ai.
Aeroporti i vetëm që u shërben qytetarëve në Kosovë edhe në të kaluarën është sfiduar nga mjegulla, nga e cila janë shkaktuar vonesa por edhe anulime të fluturimeve, për çka udhëtarët janë ankuar në vazhdimësi./Rtklive