Featured
Abrashi premton zgjerimin në 4 korsi të rrugës deri në Grashticë
Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga LDK-ja, Arban Abrashi, gjatë një tubimi sot me banorët e fshatit Koliq, shpalosi programin e tij për këtë fshat dhe tha se do të investojë në infrastrukturë për ta kthyer Gollakun në zonë turistike, ndërsa për sektorin e bujqësisë do të dyfishojë subvencionet.
“Do ta bëjmë infrastrukturën më të mirë për Gollakun dhe Koliqin ku si fazë se parë do të jetë zgjerimi i rrugës në katër korsi – Bunari i Hajratit- Grashticë, do të bëhet edhe shtrirja e ujësjellësit ku do të hapen puse nëpër fshatra ku ka nevojë, që të ketë ujë të pijshëm mjaftueshëm”, tha Abrashi.
Abrashi shtoi se do t’i dyfishojë subvencionet për bujqit, ndërsa transporti publik dhe privat do të rregullohet me linja të rregullta ku për pensionistët dhe personat me nevoja të veçanta do të jetë falas.
“Do t’i dyfishojmë subvencionet në bujqësi, sepse edhe vetë jeni dëshmitarë që subvencionet nuk u ndanë nga komuna në katër vitet e shkuara. Përveç kësaj do ta bëjmë edhe trajnimin e fermerëve që të shohim se cilat kultura bujqësore janë më të leverdishme për këtë zonë”, tha kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.