Aktuale
Abdixhiku për rrënimin e ndërtesës “Gërmia”: Prish shtëpi e ndërto hajat

Ideja e rrënimit të objektit të ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” veç reagimit të profesionistëve dhe eksperteve të arkitekturës ka nxitur reagimin edhe të deputetit të Kuvendit të Kosovës që vie nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku. Ky i fundit këtë ide po e sheh si bizare dhe të trishtë.
Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se Prishtina nuk ka shumë objekte që bartin historinë e kryeqytetit e që janë ikonë e një kujtese kolektive e që rrënimi i tyre sipas tije është naivitet dhe se logjika e rrënimit të këtij objektit të ish-Gërmisë është i logjikës “prish shtëpi e ndërto hajat”.
Megjithëkëtë ai ka thënë se do të angazhohet që kjo ide të vdes qysh në fillim.
“Ideja e rrënimit të objektit të Gërmisë në Prishtinë më duket bizare veç si ide; veç si mendim është i trishtë – lëre më shumë. Prishtina nuk ka shumë objekte që bartin historinë e kryeqytetit; që janë ikonë e një kujtese kolektive. Rrënimi i atyre pak shenjave të mbetura sot është në rastin më të thjeshtë naivitet, në rastin më të rëndë mbrapshtësi – tipike me logjikën “prish shtëpi e ndërto hajat”. Kryeqyteti ka hapësira të tjera plot për ndërtesë të re koncertale. Pse u dashka mu kjo?! Qytetet moderne bëjnë sot çmos të prezervojnë secilën shenjë historike që kanë. Ne, ndërsa, me të parën – ta rrënojmë! Do të angazhohem personalisht, që kjo ide të vdes me fillim”, ka shkruar Abdixhiku.
