Aktuale
A iku ministri financave nga skandali i 53 milionë eurove të “Bechtel & Enka”-s?

Sa herë që Kryeministri Haradinaj, në vitin e fundit, e ka marrë ndonjë vendim kontradiktor, ajo çfarë bie në sy është hezitimi i ministrit të Financave për ta përkrahur atë. Hamza e ka bojkotuar Ramush Haradinajn dhe Pal Lekajn edhe për vendimin për t’ia paguar “Bechtel-Enka”-s 53 milionë euro.
Qeveria shpërndan qindra miliona në të gjitha anët. Ndonjëherë “veç për qejf” të kryeministrit Haradinaj, si ajo e faljes së borxheve të ujit për bizneset në vend, e ndonjëherë në dhënien e milionave pa asnjë arsyetim kredibil, siç është rasti më i freskët ai 53 milionë eurove kompanisë Bechtel Enka.
Ajo çfarë vërehet është se jo gjithmonë ministri i Financave përcjell ritmin e çorientuar të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Tërheqja e Hamzës u vërejt edhe të martën kur Qeveria vendosi t’ia paguante kompanisë Bechtel & Enka 53 milionë euro për zgjatjen e periudhës së punimeve në autostradës Prishtinë – Hani e Elezit.
Në ditën kur Qeveria mori vendim për t’i bërë pagesën shtesë prej 53 milionë eurove Bechtel-Enka-s, në mbledhje nuk mori pjesë ministri Bedri Hamza. Aty dërgoi njërin prej zëvendësëve të tij, Fatmir Gashin.
Dyshimet se si u rrit shuma e pagesave shtesë nga 14.7 milionë, të cilën e kishte kërkuar fillimisht Bechtel & Enka, në 53 milionë janë të dukshme. Këtë padyshim që e ka parë edhe Hamza.
Në krejt këtë situatë të dyshimtë vetëm ai evitoi përfshirjen, duke mos marrë pjesë as në mbledhjen e Qeverisë e as në mbledhjen e Këshillit Ndërministror.
Drejtori Zyrës për Komunikim Publik në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini, ka thënë se ditën kur u mor vendimi për t’ia paguar Bechtelit 53 milionë euro, ministri Hamza ishte në seancën e Kuvendit për ta paraqit Ligjin për Mikrofinanca.
Brenda Qeverisë, jozyrtarisht, ka dhënë tjera arsye për mospjesëmarrjen e Hamzës – thuhet të ketë munguar për arsye shëndetësore.
E, në mbledhjen e Qeverisë si dhe në Komitetin e Drejtuesve Ndërministrorë, Hamza ka angazhuar njërin nga zëvendësat e tij, Fatmir Gashin e AAK’së, i cili për Express tregon se shefi i tij e ka autorizuar që të marrë pjesë gjithmonë në Komitetin Ndërministror, e nganjëherë në mbledhjet e Qeverisë.
“Ministri Hamza më ka bartur autorizimin mua si zv.ministër në Komitetin Ndërministror”, ka thënë shkurt zv.ministri Gashi për Gazetën Express.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, që nga fillimi insistonte që të paguhej shuma prej 63 milionë eurove sepse sipas tij rasti do të shkonte në Gjykatën e Arbitrazhit e atje dëmet do të arrinin deri në 200 milionë euro. Ditën e martë ishte shumë i lumtur që Qeveria po kryente një obligim. Tha se shuma ishte zbritur në 53 milionë euro.
“I falënderoj për bashkëpunimin anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror, të gjithë kolegët ministra, e veçanërisht Kryeministrin Haradinaj”, thuhej në komunikatën nga ministria e Pal Lekajt që bashkëngjitur kishte fotografinë ku mungonte Hamza.
Ka pasur edhe raste të tjera kur Hamza nuk ka vepruar ashtu siç kërkonte shefi i Qeverisë.
Hamza kvotoi kundër kur Qeveria miratoi projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimtarëve gjatë viteve të 90’ta, sic kishte thënë ai, për shkak të shqetësimeve për implikime buxhetore.
Në fund të janarit, ministri Hamza vendosi të mos e zbatonte vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave të zyrtarëve qeveritarë pas një konstatimi të Agjencisë Kundër Korrupsionit se vendimi i marrë nga ekzekutivi ishte i kundërligjshëm
