Aktuale
A i mjaftojnë Istogut paratë që Kurti ua ndau për dëme, flasin zyrtarë nga atje
Mbi 1 milion e 500 mijë euro është dëmi që kanë shkaktuar erërat e forta që kanë kapluar Istogun gjatë javës së kaluar. Në mungesë të mjeteve financiare për sanimin e dëmeve, komuna ka kërkuar ndihmë nga Qeveria e Kosovës. Kjo e fundit në mbledhjen e sotme i ka ndarë 136 mijë euro për t’i dalë në ndihmë qytetit që pothuajse u shkatërrua nga erërat. Por, nga Komuna e Istogut po thonë se këto mjete financiare nuk janë të mjaftueshme për sanimin e të gjitha dëmeve.
Edhe ky dimër e goditi Istogun, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Erërat e forta që e goditën qytetin, shkatërruan pothuajse gjithçka gjetën para vetës.
Mbi 1 milion e 500 mijë euro do t’i kushtojë Istogut sanimi i dëmeve që shkaktuan erërat sipas llogarive të autoriteteve komunale.
E mjetet financiare të ndara nga Qeveria e Kosovës, nuk janë të mjaftueshme. Ato do të destinohen në renovimin e objekteve shkollore, pasi kërkesa për kompensim u bë pikërisht nga ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami.
Enver Rugova, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Komunën e Istogut, ka thënë për Gazetën Express se mjetet e ndara nga Qeveria nuk janë të mjaftueshme.
“Janë nda mjete vetëm për objektet arsimore. Vetëm Ministria e Arsimit ka marrë vendim për ndarje të mjeteve. Nuk janë të mjaftueshme, por edhe ne si komunë i kemi rregulluar disa dëme nëpër shkolla”, ka thënë Rugova.
Rugova ka theksuar se Komuna e Istogut po pret që Qeveria e Kosovës të ndajë edhe mjete tjera, pasi ka theksuar se nëpër të gjitha ministritë përkatëse janë dorëzuar shifrat për dëmet.
“Ne presim edhe mjete tjera nga Qeveria, për shtëpi private, bujqësi, objekte publike dhe komunale. Pra edhe për sektorët tjera, si në atë të bujqësisë ku ka dëme të mëdha. I kemi dorëzuar me shifra nëpër ministri përkatëse”, ka theksuar Rugova.
Ndërkaq ai ka bërë të ditur se edhe Komuna do t’i kryejë obligimet të cilat nuk mbulohen me fondet që do t’i ndajë Qeveria.
“Mbi 15 raste kemi intervenuar, rreth 35 mijë euro ka qenë shuma që kemi intervenuar nëpër objektet shkollore, shtëpitë e shëndetit dhe disa shtëpi banimi të cilat kanë qenë shumë të dëmtuara dhe të pabanuara”, ka theksuar Rugova.
Kujtojmë se dëmet më të mëdha janë në sektorin e bujqësisë sidomos në sera dhe stalla që kapin vlerën prej 622 mijë euro, dëmet në objektet e arsimi janë 162 mijë euro ku përfshihen shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Istogut.
Në ndërtesa publike komunale janë 115,000 euro dëme, në infrastrukturë rrugore dëmet janë 40,000 euro si në shenja të emërtimit të rrugëve, shenja të komunikacionit, sistemi i kamerave dhe ndriçimit publik. Në objektet shëndetësore dëmet janë 14,000 euro ku përfshihen QKMF-Istog, QMF-Banjë, QMF-Vrellë, QMF-Kaliçan.