Arkitekturë
A do të ketë konkurs ndërkombëtar për Stadiumin Nacional të Kosovës

Prishtina apo Drenasi do të jetë nikoqire e Stadiumit Kombëtar të Kosovës, ky qe diskutimi i kamotshëm, por që mori vrull në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të qershorit vitit 2017.
Pas shumë kundërthënieve e deklaratave, Qeveria e Kosovës në krye me Ramush Haradinaj në mbledhjen e 4 dhjetorit mori vendim që Stadiumi Kombëtar i Stadiumit të ndërtohet në Zonën Ekonomike, komuna e Gllogocit, me një sipërfaqe prej 25 hektarë, në vendin e quajtur Sankoc.
Tashmë pas 3 muajsh edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka hapur tender ndërkombëtar për Studimin e fizibilitetit të këtij stadiumi.
Derisa tenderi për fiziblitietin është ndërkombëtar, nuk dihet nëse MKRS do të hapë tender ndërkombëtar për projektin se si do të duket stadiumi, apo do të vjen një shabllon i gatshëm. Ndërsa, vlen të përmendet që Hashim Thaçi në atë botë kryeministër i vendit, kishte kërkuar që të shpallet konkurs ndërkombëtar për ndërtimin e këtij stadiumi.
Megjithatë, këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Samir Hoxha, i kontaktuar nga Ndërtimi.info ka thënë se, se a do të ketë tender ndërkombëtar për ndërtimin e stadiumit do të dihet pas përfundimit të fizibilitetit.
“Se ky detaj do të dihet pas përfundimit të studimit të fizibilitetit. Studimi i fizibiliteti si proces jep shumë sqarime në lidhje me atë se si do të i qasemi ndërtimit të Stadiumit Kombëtar, andaj edhe nuk duhet të paragjykojmë se si do të bëhet ndërtimi i këtij stadiumi”, ka thënë Hoxha.
Për tenderin e Studimit të Fizibilitetit ministria ka dhënë 1 milionë e 500 mijë euro. Stadiumi Kombëtar i Kosovës do të ketë vend për 30 mijë shikues.
Ndërtimi i këtij stadiumi po bëhet për të krijuar infrastrukturë për sport, rekreacion dhe aktivitet të kohës së lirë që garanton sukses në arenën ndërkombëtare për të rinjtë e talentuar.
Që të ndërtohet Stadiumi Nacional i Kosovës, ishte marr vendimi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës me 15 mars të 2014-ës. Në atë botë e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi.
Në këtë mbledhje Thaçi kishte kërkuar nga Memli Krasniqi i cili drejtonte Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe nga Besim Beqaj që ishte në krye të Ministrisë së Financave që shpallet konkurs ndërkombëtar për ndërtimin e stadiumit në Prishtinë.
“Ftoj ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi dhe Ministrin e Financave, Besim Beqaj që t’i nisin menjëherë procedurat që në kornizën afatmesme të shpenzimeve të përfshihet projekti për ndërtimin e një stadiumi të ri dhe modern. Ky stadium do të jetë poashtu sikurse stadiumet më moderne në Evropë. Ky stadium do të jetë një arenë feste dhe një krenari për gjithë futbollistët dhe tifozët tanë”, kishte kërkuar Thaçi, përcjellë Ndërtimi.info
Vendimi për ndërtimin e këtij stadiumi ishte bërë 10 ditë pasi përfaqësuesja e Kosovës në futboll kishte luajtur ndeshjen e parë zyrtare megjithëse miqësore kundër Haitit. Ndeshje kjo që ishte zhvilluar në Mitrovicë në Stadiumin “Adem Jashari” e cila pati përfunduar me barazim, zero me zero.
Mirëpo kohë më parë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kishte shkuar në një vizitë në Hungari. Atje ai kishte vizituar një stadium të cilin e kishte paraqitur sikur “stadiumi i ardhshëm i Kosovës”. Ai është stadiumi që mund ta shihni më poshtë. Sipas deklarimeve të Veselit gjatë qëndrimit në Hungari, stadiumi do të kushtojë diku 50 milionë euro, teksa Hungaria do të mundësojë kredi të butë.
Se a do të ketë konkurs ndërkombëtar për arkitekturën e stadiumit dhe për ndërtimin e tij, si duket duhet presim edhe pse projekti hungarez duket më favorit.
