Aktuale
Të ndërtuara nga themelet për të qenë kryeqytete
Dy shtete do të ndryshojnë kryeqytetet në të ardhmen e afërt, duke i transferuar në dy qytete të reja, të ndërtuara enkas për këtë qëllim. Egjipti do të spostojë kryeqytetin 45 kilometra në lindje të Kajros, në një qytet të ri të ngritur nga themelet që mendohet të jetë funksional nga viti i ardhshëm.
Edhe Indonezia shpalli planin për të lënë Xhakartën si kryeqytet e për të ndërtuar një të ri në mes të xhunglës në krahinën e Borneos. Por përveç mbipopullimit, sikurse edhe Kajro, Xhakarta rrezikon edhe të zhduket pasi po zhytet në det me shpejtësi.
Ndërtimi i një kryeqyteti nga e para nuk është një lajm i ri, pasi shumë shtete përgjatë historisë e kanë bërë, mes tyre Brazili, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Australia.
Shikoni më poshtë për të mësuar 12 më të famshmit./a2/
Brazilia, kryeqyteti i Brazilit. Ndërtimi filloi në vitin 1950, edhe pse ideja për të spostuar kryeqytetin nga Rio de Zhaneiro, më në qendër të vendit, u sanksionua në kushtetutë që në vitin 1891.
Valeta, kryeqyteti i Maltës. Më i vogli në Europë, i ndërtuar në vitin 1565, pas Rrethimit të Madh të Maltës. Qyteti ka marrë emrin e Mjeshtrit të Madh Jean de Valette.
Kanberra, kryeqytet i Australisë. Në vitin 1911 nisi një konkurs për dizajnin dhe ngritjen e kryeqytetit të shtetit kontinent. Transferimi i statusit kryeqytet nga Melburni u bë në vitin 1927.
Uashington DC, kryeqytet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kongresi amerikan vendosi të krijonte një territor që nuk i përkiste asnjë prej shteteve, të quajtur Distrikti i Kolumbias, në vitin 1790. Qyteti mori emrin e Presidentit George Eashington dhe ishte vetë ai që dekretoi projektligjin.
Otava, kryeqytet i Kanadasë. Para se të emërohej kryeqyteti i kolonisë britanike të Provincës së Kanadasë në vitin 1857, Otava ishte një qytezë e vogël. U zgjodh për faktin e vetëm se vendndodhja ishte mes zonës anglishtfolëse dhe asaj frengjishtfolëse.
Nju Delhi, kryeqytet i Indisë. Në vitin 1911, Mbreti Xhorxhi V, asokohe Perandor i Indisë, deklaroi se kryeqyteti i territorit të sunduar nga Anglia në periudhën 1858 – 1947 do të spostohej nga Kalkuta në Delhi. Themelet e një qyteti të ri, Nju Delhit, u ngritën rreth 5 kilometra në jug të qytetit ekzistues dhe përurimi u bë në vitin 1931. Sot e kësaj dite, Delhi i vjetër dhe i ri janë të ndarë. Ndërsa në të gjithë territorin, të quajtur zona metropolitane e Delhit, banojnë 16 milionë persona.
Islamabad (qyteti i Islamit), kryeqytet i Pakistanit. Zëvendësoi Karaçin në këtë rol në vitin 1963, pasi u ndërtua nga e para për tre vite. Me një popullsi prej 1 milionë banorësh, Islamabad është qyteti i nëntë më i populluar në Pakistan.
Abuxha, kryeqytet i Nigerisë. Zëvendësoi Lagosin në vitin 1991. Shteti afrikan donte të krijonte një kryeqytet që të përfaqësonte neutralitet dhe për këtë arsye u ndërtua në zemër të vendit, me një klimë më të freskët se sa Lagosi.
Gaberones, kryeqytet i Botsvanës. U shpall i tillë në vitin 1965, një vit para se vetë shteti të deklaronte pavarësinë nga Britania e Madhe.
Naypyidaw, kryeqytet i Mianmarit. Zëvendësoi Yangonin në vitin 2006, duke u bërë shpejt shtëpia e 1 milionë personave.
Lima, kryeqytet i Perusë. Themeluar me emrin Qyteti i Mbretërve në vitin 1535 nga pushtuesi Francisco Pizarro. U zgjodh kryeqytet për shkak se ishte pranë bregut dhe rrjedhimisht më afër Spanjës. Mbeti i tillë edhe kur shteti mori pavarësinë nga Spanja në shekullin XIX.
Nouakchott, kryeqytet i Mauritanisë. Një fshat i vogël peshkatarësh, u shpall kryeqytet në vitin 1960 kur vendi mori pavarësinë nga Franca. Edhe pse fillimisht qyteti u ngrit për të mbajtur vetëm 15000 banorë, sot aty jetojnë 1 milionë vetë.