Featured
810 mijë euro jep Ministria e Infrastrukturës për një rrugë në Junik

Ministria e Infrastrukturës do të financojë ndërtimin e rrugës Junik – Gjeravicë, aksin e parë, që kap vlerën e 810 mijë euro.
Ministri Lekaj ka vizituar edhe komunën e Junikut, ku u prit nga i pari i kësaj komune Agron Kuçi. Lekaj u njoftua lidhur me dëmet që i janë shkaktuar kësaj komune nga vërshimet e fundit dhe rrëshqitjet e dheut në rrugën që e lidhë Junikun me fshatin Gjocaj.
Ministri Lekaj, dhe kryetari Kuçi, pasi nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit, vizituan edhe rrugën në Gjocaj, ku ka ndodhur rrëshqitja e dheut dhe ka dëmtuar rrugën e cila është duke u punuar.
Lekaj, ka thënë se ndërtimi i rrugës do të ketë impakt në zhvillimin ekonomik
“Ne si Ministri e Infrastrukturës, kemi marrë përsipër jo vetëm për të shtruar një rrugë, por në bazë të fizibiltetit këto projekte do të kenë impakt pozitiv edhe në zhvillimin ekonomik. Për më tepër, kjo rrugë do të ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit, vlerat fillestare të këtyre projekteve janë 810 mijë euro dhe shpresoj se kjo anë do ta merr kahjen e zhvillimit dhe një trajtim çfarë ka kërkuar kryetari dhe qytetarët, sepse në të kaluarën janë ndërtuar rrugë e projekte, por nuk kanë pasur ndonjë impakt në zhvillimin ekonomik, apo zhvillimin e turizmit. Komuna e kishte analizuar edhe gjendjen pas motit të ligë dhe mendoj se në këtë drejtim e kishte saktësuar edhe shumën, diku 375 mijë euro dëme, që mendoj se kjo do të shiqohet nga qeveria, nga fondi rezervë dhe mendoj që do të jemi përkrahës të këtyre komunave që kanë pësuar nga vërshimet”, tha Ministri Lekaj.
Kurse, nikoqiri i këtij takimi, kryetari Kuçi,ka theksuar se kjo rrugë paarqet projektin më strategjik.
“Sapo nënshkruam marrëveshjen me ministrin Lekaj, për trajtimin e rrugës Junik-Gjeravicë, aksin e parë, që përfshinë Junikun, fshatin Jasiq dhe Gjocaj, projekt që do të vazhdoi deri në bjeshkë të Gjeravicës. Kjo rrugë paraqet edhe projektin më strategjik, sepse me ndërtimin e rrugës, zhvillohen mundësitë edhe për zhvillimin e turizmit, e që është objektivi kryesor për zhvillimin ekonomik të komunës”, tha Kuçi.
