Aktuale
63 milionët e “Bechtel & Enka”-s e çojnë në raportim ministrin Lekaj

Penaltia e kompanisë Bechtel Enka prej 63 milionë eurosh dhe cilësia e naftës kanë qenë pika të nxehta të debatit ndërmjet anëtarëve të Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik në mbledhjen e sotme.
Anëtarët e Komisionit kanë ngritur çështjen e penaltive siç është rasti i kompanisë “Bechtel & Enka” , ku u vendos që në një mbledhje të ftohet në raportim ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.
E po ashtu deputet kishin kërkesa që të ftohen në raportim edhe ministrat e ministrive të reja siç është ajo e Inovacionit, Zhvillimit Rural e po ashtu kërkuan raportim për rastin e Axos , kompani e cila e ka dërguar në arbitrazh rastin e mos privatizimit të PTK-së. Komisioni nuk e votoi sot planin e punës së Komisionit për këtë vit, edhe pse sipas kryetares së Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha, mos miratimi i planit të punës së Komisionit, nuk i ndalon Komisionit që t’i ftojë ministrat në raportim.
Ndërsa, Dardan Sejdiu, anëtar i këtij Komisioni, pati kërkesë që në planin e punës të jetë edhe kërkesa e tij që t’i sillen Komisionit për Zhvillim Ekonomik të gjitha kontratat shtetërore. Ai po ashtu kërkoi që qysh javën e ardhshme të ftohet ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj që t’iu sjellë kontratën e cila po përfolët kohët e fundit.
Ndërsa, deputeti Gani Dreshaj, i cili ishte propozues i idesë që të ftohet ministri i Infrastrukturës në raportim për rastin e penaltisë nga Bechtel Enka, kërkoi llogari edhe për ambientin për të cilin tha se duhet të gjendet fajtori i vërtetë e jo të mbetet faji se gjoja automjetet e vjetra po e ndotin ajrin. Madje ai e drejtoi gishtin te dy deputetet, të cilat në të kaluarën kanë drejtuar ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, që sot janë deputete, Mimoza Kusari-Lila dhe Hykmete Bajrami.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami e cila tregoi se për ndryshimet ligjore për çështjen e naftës nuk ka pasur përkrahje për ndryshimet ligjore.
Në mungesë të materialit nga ana e Qeverisë për emrat e anëtarëve të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, (ZRRE), anëtarët e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, vendosë që të heqin këtë pikë të rendit të ditës.
Anëtarja e këtij Komisioni, Mimoza Kusari Lila, kërkoj të hiqet kjo pikë e rendit të ditës për të cilën u dakorduan edhe anëtarët tjerë të komisionit.
