Aktuale
500 metra pistë në Aeroportin “Adem Jashari” do kushtojnë 34 milionë euro

Sot në ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar të Kosovës “Adem Jashari” ka mbajtur vizitë ministry i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Atij i ndejti afër me informacione kryeshefi ekzekutiv i ANP “Adem Jashari”, Haldun Firat Kokturk.
“Pista e ANP ‘Adem Jashari’ do të zgjatet nga 2500 metra, sa është momentalisht, në 3000 metra dhe pritet të përfundojë dimrin e vitit të ardhshëm. Vlera e projektit për zgjatjen e pistës është rreth 34 milionë euro. Këtë vit janë ndarë 2.1 milionë euro, për vitin 2019 do të ndahen 10 milionë euro, kurse për vitin 2020 do të ndahen rreth 21 milionë euro”, thuhet në komunikatën për medie nga Ministria e Infrastrukturës.
Nëse bëjmë një llogaritje të lehtë, atëherë del se 1 metër pistë do të kushtojë 68 mijë euro.
Ministri Lekaj, duke iu adresuar medieve, deklaroi se punimet janë duke u realizuar me intensitet të lartë dhe pret që ato të përfundojnë me kohë. Ai shprehu bindjen se që nga viti i ardhshëm, Aeroporti “Adem Jashari”, do të jetë më atraktiv, më i sigurt dhe do të konkurrojë me aeroportet më të zhvilluara të Evropës.
Zgjatja e pistës së ANP “Adem Jashari”, sipas Ministrisë, do të rritë nivelin e sigurisë nacionale, duke ia mundësuar çdo fluturakeje të aterojë në rast të fatkeqësive, konflikteve të armatosura apo fatkeqësive natyrore. Njëkohësisht, ky investim do të evitojë humbjet financiare si dhe plotëson kriteret e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil –ICAO, si dhe të Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit.
