Aktuale
5 aktivistë të VV-së e 3 policë sulmohen gjatë rrënimit të një objekti pa leje në “Abi Çarshia”
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/Timeline-1024x387.jpg)
Pesë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren janë sulmuar fizikisht derisa po bëhej rrënimi I një objekti pa leje në qendrën tregtare “Abi Çarshia”.
Sipas VV-së, përveç aktivistëve, janë sulmuar e lënduar edhe tre policë të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje thekson se sulmi është bërë me urdhër të drejtuesit të kësaj qendre tregtare, Erman Fusha.
“Pasditen e së premtes, 19 korrik 2019, rreth orës 16:30, në Prizren janë sulmuar dhunshëm fizikisht aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Rinor Kadriqeli, Rigon Kadriqeli, Muhamet Kadriqeli, Hysen Pllava dhe Mimoza Bushrani. Sulmi është bërë nga turma që ndodhej aty me urdhër të drejtuesve të Abi Çarshisë, më konkretisht nga personi i quajtur Erman Fusha. Si rezultat i këtij sulmi, aktivistët janë lënduar rëndë dhe kanë përfunduar në trajtim mjekësor në Spitalin Regjional të Prizrenit. Poashtu, gjatë këtij sulmi janë lënduar edhe tre policë të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj lëvizje.
VV-ja, e cila udhëheqë me Komunën e Prizrenit, thekson se nuk do të ndalet ufta kundër ndërtimeve pa leje në këtë komunë.
“Ky sulm ka patur si synim kërcënimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e cila është e palëkundur në luftën e saj kundër ndërtimeve të paligjshme. Komuna e Prizrenit dhe të gjitha drejtoritë përkatëse, do t’i ndalin ndërtimet e paligjshme në Prizren, dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Ata njerëz që mendojnë se mund të ndërtojnë kudo, pa leje e pa kontroll, sepse kanë miq në qeveri, le ta dinë që në Prizren nuk munden. Dhe së shpejti nuk do të munden as në vendet e tjera, pasi edhe qeverinë do ta marrë Lëvizja VETËVENDOSJE!”, thuhet tutje në njoftim.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)