Infrastrukturë
480 mijë euro për rehabilitimin e ujësjellësit në Gjilan
Kreu komunal i Gjilanit, Lutfi Haziri, është takuar me qytetarët të martën. Por pjesëmarrja ishte e vogël.
Haziri i njoftoi ata se tashmë është nënshkruar kontrata 480 mijë eurosh për rehabilitimin e ujësjellësit në qytet.
Kryetari Haziri për mandatin 4- vjeçar pastaj ka shpalosur programin e tij që ka të bëjë me projektet për vitin e ardhshëm. Ato kishin të bënin kryesisht me infrastrukturën. Ai ka thënë se përveç zgjerimit të hyrje-daljeve të qytetit do të investojnë edhe në ndërtimin e rrugëve të fshatrave dhe rrugëve të qytetit, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Do të fuqizoj pozicionin e këshillave të fshatrave dhe këshillit të lagjeve që ata do të kenë kompetenca që të kujdesen për investimet që bën qeverisja lokale në vendbanimet e tyre”, ka theksuar Haziri.
Ai tregoi edhe për mënyrën e bashkëpunimit që do të bëhet më përfaqësues të fshatrave dhe lagjeve.
“Çdo investim yni në infrastrukturën nëntokësore, që përfshin ujin e pijshëm dhe kanalizimin, do t’i bartet ‘Hidromoravës’ nën menaxhim. Ndërsa kryetari i fshatit apo i lagjes do të jetë pika kryesore në të cilën ne do të bartim edhe formalisht me letra kujdesin ndaj investimit. Natyrisht ne e bartim koston financiare, mirëpo banorët kujdesin ndaj investimit kur ka probleme në rrjet dhe probleme të tjera që me kohë të ndërhyhet. Edhe rrugët do t’i bartim, sepse kemi disa vendbanime që janë shembull i mirë, Doberçani, Lladova, Pogragja, Zhegra, në të cilën këshilli i fshatit ka iniciativa për mirëmbajtjen e hapësirave publike që vijnë si pjesë e bashkëpunimit edhe me bashkatdhetarët”, ka thënë Haziri.





