Trashëgimia
400 vjetët e Mullirit të Breznicës
Jo me 400 vjet, por aq sa për t’i rrëfyer historitë rreth mullirit të fshatit Breznicë, të përcjella nga babai e gjyshi i tij. Karafil Duraku (80) tregon për rindërtimet e gjërat që kishin ndodhur brenda mureve të Mullirit të Ismajlit. Si kryemjeshtër, Karafili, me ndihmën vullnetare të banorëve dhe kredisë së siguruar nga Titoja, për herë të tretë iu dha jetë mureve, duke mos e prekur themelin e tij.
Shkruan: Liridon Spahiu
E disa banorë që nuk kishin mundësi të shkonin në këto fshatra, grurin e bluanin me mokra (pajisje për bluarje të grurit me dorë), tregonte ai, derisa njëkohësisht po mundohej të improvizonte me lëvizje te duarve për të treguar se si bluheshin drithërat dhe gruri me dorë.
Tri herë i rindërtuar mbi të njëjtin themel
Filloi të rrëfente se çfarë i kishin treguar gjyshi dhe i ati i tij.
“Ky mulli është rindërtuar tri herë për shkak se vërshimet e mëdha të ujit e kishin dëmtuar atë, mirëpo diçka mbeti e veçantë. Ai u rindërtua gjithmonë mbi të njëjtin themel ku ishte në fillim dhe kështu lashtësia e tij tani ka arritur në 400 vjet”, po vazhdonte ai. Mezi i mbante lotët derisa fliste.
“Ishte muaji shkurt. Të gjithë erdhën dhe më njoftuan që mulliri përsëri ra. Kjo ndodhi pasi që isha kryemjeshtri i vetëm në atë fshat. E rindërtuam me forcat tona, na ndihmoi edhe Titoja me një kredi, e cila i përfshinte çimenton dhe dërrasat. Punën tjetër e bëja vet, me ndihmën e banorëve, të cilët, përpos ndihmës që e ofronin, nuk hezitonin edhe të ndihmonin në mënyrë fizike në ndërtimin e tij”, shtoi Karafili.
Tani, ky mulli, edhe pse është në gjendje të bluaj ende, nuk përdoret pothuajse nga asnjë banor. Shkaktarët kryesorë janë makinat moderne, mungesa e ujit dhe zhvillimi dhe avancimi i teknologjisë në masë të madhe. Por sipas plakut, buka më asnjëherë nuk e ka pasur shijen e mirë që e kishte dikur, kur e bluanin grurin në këtë mulli.
Përveç drithërave për bagëti, në këtë mulli më nuk bluhet grurë si dikur.
Gjakmarrje në mulli
Nga gojëdhënat e treguara më herët, të cilat janë përcjellë për breza me radhë, Karafili na rrëfen edhe një ngjarje të tmerrshme, e cila ka ndodhur brenda mullirit.
Derisa ai ishte i vogël, i ati ia kishte rrëfyer ngjarjen që kishte ndodhur në këtë mulli.
Ai i kishte vetëm 10 vjet, kur babai e mori afër vetes dhe u ulën pranë oxhakut. Kishte filluar t’ia tregojë një histori krejtësisht të pazakontë nga ato të tjerat. Nga belaja e dy familjeve, të cilët ishin në gjakmarrje në katundin e Breznicës, plaku tregon se një person mbeti i vrarë brenda mullirit.
“Vrasja në mulli u bë ngase vetëm aty mund të takoheshin ato dy familje. E dinin ditën se kur do të bluanin dhe në një nga ditët e rezervuara për njërën familje, në shtëpi, së bashku me miellin dhe drithin e bluar, iu shkoi edhe një kufomë. Kjo për shkak se mbeti i vrarë kryefamilijari që u qëllua pa mëshirë pas shpinës. Ai ishte duke e siguruar bukën e gojës për familjen’’, tregon ai.
Mirëpo kjo ishte e vetmja ngjarje e pazakontë. Sipas plakut, asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë më vrasje, edhe pse përleshjet fizike nuk ishin të rralla. Sidoqoftë, ato asnjëherë nuk kishin shkuar në atë pikë sa të ndodhte edhe një tjetër vrasje brenda atyre mureve të vjetra.
Tri kilometra nga xhandarmëria serbe
Nga një dritare e vogël dukej kazerma që e kishte ndërtuar xhandarmëria serbe. Ajo gjendej vetëm tri kilometra larg mullirit.
Derisa ai po tregonte me gjeste e me një buzëqeshje në fytyrë, e nisi tregimin e tij se si asnjëherë nuk ka pasur ndonjë përleshje, problem apo fyerje nga ana e policisë dhe xhandarmerisë serbe, përkundër faktit që mbi dhjetë herë në ditë kanë kaluar skaj mullirit, deri te pika kufitare e tyre.
“Gjithmonë i kemi përshëndetur dhe na kanë kthyer në mënyrë të njëjtë, ndonjëherë edhe iu kemi dhënë miell, drithëra apo edhe bukë. E tërë kjo ka ndodhur për shkak të raporteve të mira si dhe punësimit të disa fshatarëve në radhët e policisë dhe xhandarmerisë serbe”, sqaron ai.
Gjithashtu , sipas tij, qysh nga koha kur serbët e filluan sundimin në tokat e Kosovës deri në ditët e sotme, asnjë banorë i këtij fshati nuk ka pasur ndonjë problem me policinë, por as me xhandarmerinë serbe.
*Liridon Spahiu është student i Departamentit të Gazetarisës së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.