Featured
40 mijë euro për asfaltimin e 400 metra rrugë për te Manastiri në Klinë

Në bazë të bashkëpunimit të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) me institucionet e vendit dhe të marrëveshjes me Komunën e Klinës, IOM-in, Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Batalioni i Xhenios i FSK-së filloi sot punimet në rregullimin e rrugës në fshatin Budisalc të Komunës së Klinës, në gjatësi prej 400 metrave.
Në këtë ngjarje morën pjesë ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Conell, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, zëvendëskomandanti i KFT-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, përfaqësues të IOM-it, Ministrisë për Komunitete dhe oficerë të KFOR-it dhe të FSK-së.
Projekti për asfaltimin e rrugës 400 metra deri te Manastiri i Budisalcit është financuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe me vlerë prej 32 mijë euro dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim me 8 mijë euro. FSK-ja, do të bëjë rregullimin, trasimin dhe shtruarjen e rrugës me zhavorr, ndërsa firma e kontraktuar do ta bëjë asfaltimin e saj.
FSK-ja në kuadër të misionit të vet, vazhdon t’iu kushtojë rëndësi realizimit të projekteve të ndryshme humanitare të cilat janë në shërbim të komuniteteve pa dallim etnie.
Qëllimi i këtij projekti është lehtësimi i qarkullimit të banorëve të fshatit për në Manastirin e Budisalcit.
