Aktuale
30 mijë euro pagesë jashtë llogarisë së kompanisë kontraktuese
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Ferizajt në një rast ka paguar 30 mijë euro jo në llogari të kompanisë me të cilin kishte kontratë për kryerje të punëve, por në llogari të një kompanie tjetër, me të cilën Komuna nuk kishte asnjë lloj marrëveshjeje, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Shkelje të shumta janë evidentuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Ferizajt për vitin që lamë pas.
Në një rast Auditori ka gjetur se fatura në shumën 30.000 euro nuk ishte paguar në llogari të operatorit ekonomik fitues, por në një llogari të një kompanie tjetër.
Sipas zyrtarit të prokurimit, kjo është bërë ngase operatori i njëjtë i ka dy kompani, shkruan tutje “Zëri”.
Por, sipas rregullave financiare, pagesa duhet të ekzekutohet në llogarinë e prezantuar nga kontraktuesi kur kontrata është nënshkruar.
“Pagesat e tilla mund të rezultojnë me manipulim të mundshëm të parasë publike. Mungesa e kontrolleve ka pasur si rezultat mosekzekutimin e pagesës në llogarinë përkatëse të operatorit ekonomik. Kjo mënyrë e pagesës mund të ketë si rrezik potencial që të bëhen pagesa të dyfishta për të njëjtën punë. Kryetari duhet ta shqyrtojë pse pagesa e tillë ka ndodhur dhe të sigurojë se zyrtari certifikues nuk certifikon asnjë pagesë në llogari jopërkatëse, apo që nuk është pjesë e kontratës dhe se raste të tilla nuk përsëriten”, thuhet në Raportin e Auditorit.
Po ashtu në këtë Komunë auditori ka hasur në raste të ndryshimit të mëvonshëm të kërkesave për aftësi ekonomike dhe teknike.
Për tenderin “Zgjerimi i rrugës Komogllavë – Tërstenik Komuna kishte bërë njoftimin për kontratë më 20.07.2016.
Të njëjtin tender më 10.08.2016 Komuna e kishte anuluar me arsyen që janë bërë gabime në paramasë.
Sipas ZKA-së, anulimi ishte bërë para hapjes së ofertave, sipas Nenit 62 të LPP-së.