Aktuale
3 milionë euro për zonën ekonomike në Suharekë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani dhe kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj, të enjten kanë nënshkruar marrëveshjen për ta financuar infrastrukturën në zonën ekonomike në Shirokë të Suharekës.
Pas nënshkrimit ministri Bajrami ka deklaruar se: “disa muaj më herët gjatë vizitës që i bëmë kësaj zone ekonomike me zv.kryeministrin Limaj, patëm premtuar se do ta jetësojmë këtë zonë, për të ndihmuar bizneset e këtushme, pasi nuk i kanë kushtet elementare për të zhvilluar bizneset. Vlera e projektit do të sillet nga 2.2 deri 3 milionë, varësisht prej revidimit të projektit që e ka sjellë Komuna e Suharekës”.
Ndërsa kryetari Muharremaj, ka thënë se ”qëllimi kryesor i krejt kësaj është që zona ekonomike ne Suharekë, të jetë një model i zonave në Kosovë.
“Këtu do të punësohen rreth 600 të rinj në mandatin e ardhshëm katërvjeçarë dhe ky është një lehtësim edhe për bizneset edhe për qytetarët e Komunës sonë”, theksoi Muharremaj.
Zv.kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj fjalimin e tij e ka filluar se:”Jemi me kënaqësi në Komunën e Therandës te një kryetar punëtor, te një njeri energjik dhe Projekti që sot po fillon dhe ato që do të vijnë, jam i bindur që përfundimisht do ta transformojnë Therandën.
“Ky projekt është në përputhje të plotë me programin tonë qeveritar, që të krijojmë parakushte për biznesin e Kosovës, për prodhuesit tanë dhe siç e dini një nga prioritetet e MTI është stimulimi dhe buxhetimi i prodhimit vendor, mbrojtja e prodhimit vendor, krijimi i parakushteve për prodhimin vendor e cila do të krijonte mundësi për vende të reja të punës”.
