Aktuale
3.5 milionë euro për stadiumin e ri në Shqipëri
Klubi verilindor i “F.K Kukësit” përmes një lajmërimi në faqen e tij zyrtare ka njoftuar se ka nisur rikonstruktimi i stadiumit “Zeqir Ymeri”.
“Klubi i F.K. Kukësit ka nisur punën paraprake për ndërhyrje në stadiumin “Zeqir Ymeri”, shkruhet në faqe.
Klubi ka kontaktuar me një agjensi arkitekturore nga një studio jashtë vendit për ndërtimin e stadiumit të ri.
Në klub ka mbërritur projekti, i cili është pëlqyer nga presidenti Safet Gjici dhe drejtuesit e klubit.
Projekti është i studiuar mirë dhe me detaje. Stadiumi i ri do të ketë një kapacitet prej 10 mijë vendesh dhe është i mbuluar krejtësisht edhe në tribunat e tifozëve. Ky projekt kap vlerën e 3.5 milion eurove dhe do të jetë padyshim ndër më modernët në Shqipëri.
Stadiumi do të jetë një qendër multifunksionale, pasi do të përfshijë të gjitha kushtet e nevojshme për skuadrën, nga palestra etj. I njëjti komoditet do të ofrohet edhe për tifozët që do të gjejnë shërbime të ndryshme.
Pas miratimit të buxhetit nga qeveria shqiptare do të nisë edhe ndërhyrja në stadium. Presidenti Gjici beson se ky projekt do të miratohet nga qeveria shqiptare. Ndërtimi i stadiumit është një e mirë për qytetin e Kukësit, pasi sjell një tjetër impakt në jetën dhe ekonominë e qytetarëve.
Skuadra kampione e Shqipërisë e meriton një investim të tillë edhe për shkak të historisë që ka bërë këto vite në futbollin shqiptar. Ky stadium mund t’i shërbejë mjaft mirë edhe vëllezërve tanë nga Kosova, që do t’i kenë dyert e hapura për zhvillimin e ndeshjeve në kompeticionet ndërkombëtare”, shkruhej në njoftimin e Kukësit.
Pas shumë kritikave për stadiumin e amortizuar, më në fund kampionët e Shqipërisë po bëhen gati për të pasur një stadium me parametra europianë.