Aktuale
25 kompani pretendojnë se u mashtruan nga Bechtel-Enka
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/arben-xhaferi-autostrada-718x380.jpg)
Miliona euro i kushtoi buxhetit të shtetit autostrada “Arbën Xhaferi”, por një numër i kosovarëve që punuan në këtë projekt nuk u paguan.
25 firma vendore po pretendojnë se ende nuk i morën paratë që janë rreth 1 milion euro, për shërbimet që i kryen si nënkontraktues të kompanisë kroate “Suma Engineering Platform”, e cila ishte kontraktuar nga “Bechtel Enka Consorcium”, të cilës iu besua ndërtimi i autostradës.
“Shuma e borxhit është prej 184 mijë deri në 1800 më i vogli”
Problemet me pagesa sipas të nënkontraktuarve u shfaqën qysh në maj të vitit 2018.
“Saktësisht ata të kompanisë “Bechtel Enka” na kanë premtuar që mos me e ndalë punën sepse kena për me iu qëndru mbrapa me pagesa dhe ne normalisht që kena vazhdu punën dhe kjo dukuri në atë periudhë është përmirësu, por ka fundi i projektit prapë kanë vazhdu parregullësitë”.
Në “Suma Engineering”, thanë që telashet me mos pagesa dolën pasi u dolën punë të paplanifikuara për të cilat as këta nuk u kompensuan nga kompania “Bechtel Enka”.
“Në një farë mënyre ata e kanë bërë ndryshimin e kontratës tonë dhe i kanë nëpërmjet firmës tonë e kanë menaxhu gjithë këtë punë, derisa i kemi përfundu punimet. Kur i kemi përfundu punimet nuk kanë pasur nevojë për neve dhe në një farë forme na kanë lanë anash”.
Klan Kosova tentoi por e pati të pamundur të marrë qëndrim nga Betchel Enka.
Duke qenë se nuk i morën paratë, pronarët e firmave menduan të ankohen në qeveri, por as nga kjo nuk u jepet shumë shpresë.
Qeveria thotë se nuk ndërhynë në relacionet ndërmjet kompanive dhe se nuk ka as të drejtë ligjore për të ndërhyrë në buxhet.
Por, në Ministrinë e Infrastrukturës thanë se nuk morën asnjë ankesë për këtë çështje, megjithatë numri dy i saj Rexhep Kadriu, premtoi që për të do të flitet në ditët ne vazhdim./Klan Kosova
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)