Aktuale
22.5 milionë euro Ministria e Infrastrukturës i ka borxh, më së shumti “Bechtel & Enka”-s

Ministria e Infrastrukturës, e cila ka dhënë 53 milionë euro shtesë për “Bechtel & Enka”, është e zhytur në borxhe. Kjo ministri vitin 2017 e ka përmbyllur me plotë 22.5 milionë euro borxh, ndërsa më së shumti i ka kompanisë “Bechtel & Enka”, shkruan Ndërtimi.info.
Nga 15 milionë e 535 mijë e 336 euro Ministria e Infrastrukturës i ka mbetur borxh komapnisë “Bechtel & Enka” për autostradën “Arbën Xhaferi”.
“MI, ka shpalosur obligimet e papaguara në PFV për vitin 2017 në vlerë prej 22,588,872€, ndërsa obligimet e pa paguara në fillim të vitit 2017 ishin 15,535,336€, Pjesa më e madhe e obligimeve të papaguara (15,306,323€) i takojnë Bechtel & Enka dhe kanë të bëjnë me ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit. Këto obligime janë bartur për t`u paguar në vitin 2018”, thuhet në raportin e zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2017.
Në këtë rapot thuhet se Ministria e Infrastrukturës është e informuar për detyrimet që i ka.
“Më tej, detyrimet kontingjente të prezantuara në PVF më 31.12.2017 janë 14,708,862€ ndërsa me 31.12.2016 ishin 14,407,675€. MI në koordinim më Avokaturën Shtetërore, është informuar për shumicën e detyrimeve/pretendimeve të pasqyruara në PFV 2017”, thuhet tutje në raport.
Sipas këtij raporti, arsye kryesore që është dhënë nga Ministria e Infrastrukturës për këto borxhe është mungesa e buxhetit.
“Gjatë vitit 2017 obligimet janë rritur për 7,053,536€. Sipas zyrtarëve përgjegjës, arsye kryesore e krijimit të këtyre obligimeve ishte mungesë e buxhetit. Pagesa dhe raportimi i obligimeve – OB, duhet që çdo faturë të vlefshme ta paguaj brenda afatit kohor prej 30 ditësh kalendarike nga data e pranimit të faturës. Gjithashtu, OB janë të obliguara që në Ministrinë e Financave të raportojnë në baza mujore faturat e pranuara dhe të papaguara. Në dhjetë raste kemi vërejtur që faturat/obligimet ndaj furnitorëve në vlerë prej 3,588,671€ nuk ishin paguar brenda afatit prej 30 ditësh. Më tej, në dy raste kemi vërejtur faturat/obligimet ndaj furnitorëve në vlerë prej 1,044€ nuk ishin përfshi në raportet mujore të obligimeve”, theksohet në raportin e ZKA-së.
