Aktuale
2018 – viti i trishtë i vdekjeve të ndërtuesve

Ndërtimtaria është konsideruar si një nga sektorët me zhvillim në vend. E, si rrjedhojë edhe kompanitë e ndërtimit po shtohen. Vetëm për tre muaj të këtij viti janë regjistruar 266 ndërmarrje të reja të këtij sektori. Mirëpo, fatkeqësisht krahas numrit të kompanive të ndërtimit, ngritje po shënon edhe numri i punëtorëve të këtyre kompanive që po gjejnë vdekjen në vendin e punës.
Pavarësisht shqetësimit për këtë fenomen dhe reagimit, gjendja e sigurisë në punë në këtë sektor nuk po ka përmirësim.
Gjatë këtyre pesë muajve të këtij viti, gjashtë punëtorë i gjeti vdekja derisa po kryenin punën e tyre për kompani të ndryshme.
Rasti i fundit u shënua sot. Valon Berisha, 30 vjeçar, punëtor i kompanisë “Timo – Construction” humbi jetën gjatë punës në një objekt në Fushë Kosovë, shkruan Ndërtimi.info.
Ndërsa, Sinan Gërbovci është duke u mbajtur në jetë i lidhur nga aparaturat në QKUK, pas lëndimeve të rënda që mori javë më parë gjatë punës së tij në ndërtimin e një objekti në Prishtinë.
Vetëm një muaj më parë vdekjen në vendin e tij të punës e gjeti edhe 23 vjeçar, që po punonte në një objekt në rrugën “B” të Prishtinës. Mungesa e mbrojtëseve ku vendoseshin skelet dyshohet se u bë shkaktare e vdekjes së të riut nga Malisheva, i cili po punonte për kompaninë “Diellona”.
Në muajin shkurt, një 61 vjeçar nga Ferizaj shkoi në Gjilan për të bërë punën e tij, shkarkimin e materialit ndërtimor. Por, derisa po tentonte të zbrazte materialin në kamionin që ngiste, ra në kontakt me rrymën ku ndërroi edhe jetë. Në po këtë muaj jetë ndërroi edhe një 61 tjetër, punëtor i KEK-ut. Ai, ishte duke punuar në flegrat e kaldajeve në Termocentralin “Kosova A”, kur ra nga një lartësi 30 metra.
Në anën tjetër, vetëm gjatë periudhës janar – mars janë evidentuar 13 raste të lëndimit në vendin e punës.
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat shumë herë ka ngritur shqetësimin në lidhje me rastet e shumta të vdekjeve dhe lëndimeve të punëtorëve, me theks të veçantë në ndërtimtari. Mirëpo, institucionet nuk kanë marrë ende masat që do të çonin në reduktimin e këtyre rasteve.
Kompanitë e ndërtimit në vend vazhdimisht janë kritikuar për kushte jo të mira të punës dhe rreziku që u kanoset punëtorëve.
E, sipas të dhënave zyrtare edhe viti paraprak u përmbyll me një numër shqetësues të vdekjeve në vendin e punës. Në vitin 2017, sipas Inspektoratit të Punës, 7 punëtorë të ndërtimtarisë kanë gjetur vdekjen në vendin e tyre të punës, e 30 të tjerë janë lënduar nga aksidentet gjatë procesit të punës.
Ndërsa, gjatë gjashtë viteve të fundit kanë vdekur 61 punëtorë gjatë punës në ndërtimtari. /Ndërtimi.info/
