Aktuale
20% e institucioneve kanë keqpërdorur me Prokurim Publik [video]
Shkeljet në prokurimin publik janë përcjellë edhe në vitin 2016, kështu bëjnë të ditura raportet e gjetura nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), raporton Ndërtimi.Info.
KDI ka analizuar raportet e Auditorit për institucionit ku në 20 për qind prej tyre ka keqpërdorime.
Artan Canhasi nga KDI ka bërë të ditur se shkeljet në prokurimin publik janë evidente edhe në raportet që mbulojnë vitin 2016-të, por që sipas analizave rezulton që problemet më të mëdha janë evidentuar në planifikim.
“
“
Sipas të gjeturave të KDI në analizat e raportit auditimit është vërejtur se zbatimi i rekomandimeve që ofron auditori është në shkallën më të ulët.
Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit nga KDI ka treguar se në nivelin qendror vetëm 31% e rekomandimeve të vitit paraprak janë zbatuar plotësisht, ndërsa 35% të rekomandimeve nuk janë adresuar asnjëherë.
“Në nivelin qendror vetëm 31% të rekomandimeve të vitit paraprak janë zbatuar plotësisht, ndërsa 35% të rekomandimeve nuk janë adresuar fare. Sa i përket nivelit lokal vetëm 25% të rekomandimeve ZKA të vitit 2015 janë zbatuar plotësisht, ndërsa 40% të rekomandimeve nuk janë adresuar. Ajo që e vlen të theksohet se 34% të rekomandimeve nga viti 2015, janë në proces të zbatimit, që edhe pse nuk janë zbatuar plotësisht, ekziston një vullnet për përmirësimin e këtyre gjetjeve”, tha Metushi Krasniqi.
Veç problemeve në planifikim, gjatë analizës së burimit të problemit del që të ketë probleme edhe në financa me 62% të institucioneve në nivelin qendror dhe lokal si dhe në menaxhimin e kontratave, 54% të institucioneve lokale dhe qendrore.
Gjithashtu, Metushi Krasniqi ka bërë të ditur se 40 % të institucioneve janë evidentuar në vlerësimin e tenderëve, me një theks në shpërblimin e Operatorëve Ekonomik të papërgjegjshëm, eliminimi i operatorëve ekonomik më të lirë, si dhe mangësi të ndryshme lidhur me përmbushjen e kërkesave të dosjes së tenderit.
“Është shqetësues fakti se nga gjetjet e potencuara, në 38% të institucioneve lokale dhe qendrore janë evidentuar shkelje në respektimin e dispozitave ligjore, respektivisht shmangie të procedurave të prokurimit”, vlerësoi ajo.
Po ashtu ajo theksoi se përderisa niveli lokal ka më të shprehur problemet lidhur me vlerësim të tenderëve dhe shmangie të procedurave, niveli qendror ka të shprehur problemin në menaxhimin e kontratave.
Tutje nga analiza e raporteve të auditimit të rregullsisë për vitin 2016, del se komunat me më së paku gjetje të evidentuara në prokurim publik janë: Komuna e Junikut, Suharekës dhe Zubin Potokut, kurse komunat me më së shumti gjetje janë ato të Gjakovës, Ferizajt dhe Prishtinës.
Kurse, sa i përket institucioneve qendrore, ministritë me më së paku gjetje të evidentuara në prokurim publik janë: Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ndërsa ministritë me më së shumti gjetje janë Ministria E Punëve të Brendshme, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ndërsa Artan Canhasi, shtoi se duke vërejtur numrin e madh të shkeljeve në fushën e prokurimit publik, KDI beson se një numër i madh i këtyre parregullsive do të ekspozoheshin me kohë dhe do të shmangeshin në përgjithësi nëse kontratat vihen në dispozicion të publikut.
“Në vazhdim, mund të konkludojmë që Zyra Kombëtare e Auditorit ka përgatitur raporte të një kualiteti të respektueshëm. Këto raporte duhet të merren për bazë nga institucionet ndjekëse sikurse prokuroria për të evidentuar shkeljet që përbëjnë vepra penale dhe për të kërkuar përgjegjësi nga akterët që kanë shkelur ligjet”, ka thënë ai.
Ndryshe, Canhasi ka kërkuar nga institucionet si Kuvendi i Kosovës dhe Asambletë Komunale që të marrin në përgjegjësi politike zyrtarët të cilët raportojnë në këto trupa, duke theksuar se duhet të rritet vullneti politik dhe llogaridhënia që të mos përsëriten rekomandimet e Auditorit nga viti në vit./Ndërtimi.info.
You must be logged in to post a comment Login