Aktuale
2 miliardë dollarë ndihma për rindërtimin e Australisë së shkrumbuar nga zjarret
Australia ka ndarë 2 miliardë dollarë për dy vjetët e ardhshëm për të ndihmuar në rindërtimin e shtetit të bërë shkrumb e hi nga flakët.
Kryeministri Scott Morrison, në një konferencë për media, ka deklaruar se qeveria do të paguajë çfarëdo çmimi për të rindërtuar Australinë e shkrumbuar nga zjarret që pritet të zgjasin gjatë muajve të ardhshëm, raporton KTV.
“Këto dy miliardë dollarë janë shtesë në angazhimin tonë fillestar për rindërtim. Nëse kërkohen të tjera fonde, ato do të sigurohen. Tani po përqendrohemi në çmimin njerëzor dhe rindërtimin e jetës së njerëzve”, ka thënë Morrisoni.
Rreth 500 dollarë australianë do të ofrohen në vitin fiskal që përfundon në qershorin e vitit 2020. 1 miliard dollarë do të dhurohen për vitet 2020/21 dhe 500 milionë të tjera për vitin 2021/22.
Që prej muajit shtator të vitit 2019, në Australi janë djegur 6 milionë hektarë tokë, 25 njerëz kanë vdekur, ndërsa gjysmë miliardi kafshë besohet se kanë ngordhur.
Megjithatë, nga zjarri është dëmtuar më së shumti bota e egër australiane. Koalat, specie origjinale e këtij kontinenti, po vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor pas djegieve të pësuara.
Ulja e temperaturës dhe shiu i lehtë i ditëve të para të janarit, ka ndihmuar zjarrfikësit në lokalizimin e disa vatrave të zjarrit, por zyrtarët kanë paralajmëruar se moti ekstrem pritet të kthehet në fund të javës. Situata ka vazhduar të jetë e rëndë në pjesën jugore të vendit.
Mijëra banorë janë evakuuar nga qyteti Eden në shtetin e New South Wales, shkaku i tymit dhe zjarrit, ndërsa shumë të tjerë kanë preferuar që mbrojnë pronat e veta.