Aktuale
2.4 milionë euro i ka borxh ATK-së vetëm konsorciumi “Bechtel&Enka”
Janë 28 mijë e 570 tatimpagues që Administratës Tatimore të Kosovës i kanë gjithsej 355 milionë euro borxh.
Në fillim të listës për kah lartësia e borxheve janë kryesisht ndërmarrje publike, por jo fort larg tyre janë edhe emrat e dy kompanive që në Kosovë kanë funksionuar si konsorcium “Bechtel dhe Enka”, raporton KTV.
Si “Bechtel”-i edhe “Enka”, bazuar në këtë listë kanë borxh shumë të njëjtë: nga 1 milionë e 201 mijë e 984 euro, e në total 2 milionë e 403 mijë e 986 euro.
Televizioni ka tentuar të komunikojë me përfaqësues të të dy kompanive, bazuar në të dhënat, me të cilat janë regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, por nuk ka marrë përgjigje.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, i ka thënë KTV-së se ende janë në procedurë të verifikimit të borxheve.
“…ka qenë një mos-saktësim ose mos-sqarim nga ana e kompanisë për atë problematikë, që për hir të konfidencialitetit të informatave, nuk mund t’i shpalosim, por është identifikuar se ka nevojë për ta trajtuar atë problematikë tutje dhe është ndalur lënda. Domethënë, është duke u trajtuar…”, ka thënë Murtezaj.
Për më shumë se 9 vjet, sipas Murtezajt, kompanitë në fjalë, brenda afateve juridike i kanë përmbushur të gjitha obligimet, por pavarësisht kësaj, në momentin që identifikohet si borxh dhe pas afatit të të ankesave, Murtezaj ka thënë se institucioni që drejton, i nis procedurat për mbledhje të borxhit.
Ai, gjithashtu, ka bërë të ditur se gjatë këtij viti, kanë bërë më shumë se 200 procese të konfiskimeve, çka ka rezultuar me uljen e borxhit për 21 milionë nga shuma prej 376 milionë euro që ishte në fillim të këtij viti.