Aktuale
16 vjeçari humb jetën në vendin e tij të punës

Një 16 vjeçar nga Komuna e Prizrenit ka humbur jetën aksidentalisht në vendin e tij të punës, gjatë ditës së sotme (e shtunë). Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mushnikovë të Prizrenit, në një fabrikë të stiroporit.
Rastin për Ndërtimi.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha.
“Po mund t’iu konfirmojë se një i ri e ka humbur jetën në vendin e tij të punës të shtunën. Ka qenë vdekje aksidentale. Për detaje të tjera do t’iu informojmë më vonë”, ka thënë Berisha.
Ndërsa siç, mëson Express makina e stiroporit ka qenë fatale për të miturin, gjatë punës me të makina i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse atij.
Mësohet se viktima është nga fshati Lubizhdë i Prizrenit.
E për këtë rast, Ndërtimi.info ka tentuar që të marr informacione edhe nga Inspektorati i Punës, përkatësisht Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, por ai ka thënë se gjendet në pushim vjetor.
Të painformuar për këtë rast janë edhe në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës. Jusuf Azemi nga kjo sindikatë ka thënë se tani po dëgjojnë për këtë rast.
Ndryshe, që nga janari i 2018-ës, numri i punëtorëve që e kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës ka arritur në 16.
Kurse, sipas të dhënave zyrtare edhe viti paraprak u përmbyll me një numër shqetësues të vdekjeve në vendin e punës. Në vitin 2017, sipas Inspektoratit të Punës, 7 punëtorë të ndërtimtarisë kanë gjetur vdekjen në vendin e tyre të punës, e 30 të tjerë janë lënduar nga aksidentet gjatë procesit të punës.
Nëse marrim statistikat për pesë viteve të fundit, rreth 90 qytetarë, mbajtës të familjeve, kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës në sektorin e ndërtimtarisë.
Ka arritur në 16 numri i qytetarëve të Kosovës që kanë vdekur në vendin e punën që nga janari i këtij viti.
Ndërtimi.info do t’iu mbajë të informuar për këtë rast.
