Aktuale
16 mijë euro borxhe nga shfrytëzimi i banesave komunale të Prishtinës
Janë 16 mijë euro borxhe nga banesat të cilat janë dhënë në shfrytëzim për ish këshilltarët komunal të Prishtinës dhe punëtorët administrativ. Vendimi për dhënien e banesave me qira për këta zyrtarë ishte dhënë që në vitin 2007 me vendimin e kuvendit. Që atëherë kontratat kanë skaduar, mirëpo qiramarrësit vazhdojnë ende t’i shfrytëzojnë banesat.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), njofton se pagesat e qirasë nuk ishin bërë në kohën e rregullt dhe se vlera totale e borxhit ka arritur në 16,171 euro. Por që sipas komunës janë në procesin e evidentimit të gjendjes së këtyre pronave që pastaj të trajtohen sipas ligjit.
ZKA ka theksuar rreziqet që vijnë nga vazhdimi i shfrytëzimi i pronave të Komunës së Prishtinës me kontrata të skaduara.
“Shfrytëzimi i pronave komunale me kontrata të skaduara dhe pa to, privon komunën nga e drejta për arkëtimin e të hyrave dhe ndjekjen e proceduarve gjyqësore në raste të mos arkëtimit e të arkëtueshmeve me kohë”, thuhet në raportin e auditimit.
Zyra e Auditimit ka rekomanduar Kryetarin e Komunës, Shpend Ahmetin, që të përpilojë kontrata të reja apo edhe përmes formave të tjera ligjore të marrë sa më parë masa për zgjidhjen e situatës aktuale. Kjo do t’i ndihmontë Komunës së Prishtinës që të arkëtojë të ardhurat nga këto prona dhe të bëhej përdorimi legjitim i tyre./Ndertimi.info



