Featured
Vetëm 16 leje ndërtimi të kategorisë së tretë u lëshuan gjatë vitit 2017 në Kosovë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/maxresdefault-6.jpg)
Për të ndërtuar një objekt të çfarë do lloji në Kosovë paraprakisht duhet të merret një leje ndërtimi nga organi kompetent.
Duke qenë se ndërtimet në vendin tonë janë të ndara në tri kategori edhe lejet për to nuk i lëshon i njëjti institucion.
E, për të ndërtuar një objekt të kategorisë së tretë, e cila përfshinë ndërtimet me rrezikshmëri të lartë dhe me interes nacional, leje duhet të merret nga Ministria e Mjedisit dhe planifikimit Hapësinor (MMPH).
Gjatë vitit që po lëmë pas kjo ministri ka lëshuar gjithsej 16 leje ndërtimi të kësaj kategorie dhe një certifikatë përdorimi.
Këtë për Ndërtimi.info e ka bërë të ditur zyrtari për informim në MMPH, Fadil Maxhuni.
“Sa i përket numrit te lejeve te lëshuara për kategorinë e III-të (objekte këto me rendësi për vendin) për te cilat objekte është përgjegjëse Ministria, gjatë vitit 2017 janë lëshuar 16 leje të ndërtimit dhe një certifikatë e përdorimit”, ka treguar ai.
Ndërsa, për kategorinë e parë ë ndërtimit, në të cilën hyjnë ndërtime me rrezikshmëri të ulët dhe për ato të kategorisë së dytë , ku bëjnë pjesë ndërtime me rrezikshmëri të mesme kompetente për lëshimin e lejeve të ndërtimit janë komunat përkatëse.
Në lidhje me lejet e lëshuara nga komunat, Maxhuni ka thënë se nuk ka dispozita ligjore e cila i obligon komunat të raportojnë në MMPH për numrin e aplikimeve për leje, numrin e lejeve të lëshuara apo refuzuara.
Ai, ka bërë të ditur se gjatë viti 2017 ka filluar një projekt për raportimin e komunave, i cili sipas tij në vitin 2018 pritet të fillojë së zbatuari.
“Nuk ka dispozit ligjore e cila i obligon komunat të raportojnë në MMPH për numrin e Aplikimeve për Leje, numrin e lejeve të lëshuara apo refuzuara. Mirëpo në bashkëpunim me MAPL gjatë këtij viti është finalizuar sistemi elektronik i raportimit të komunave dhe pjese e raportimit janë edhe këto informata për të cilat ju keni bërë pyetje, shpresojmë që vitin e ardhshëm do të filloj zbatimi i tij”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, gjatë vitit 2017 MMPH-ja ka hartuar një Projektligj te ri për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili është aprovuar në nga Qeveria e Kosovës dhe është dërguar në Kuvend për procedura të miratimit, pasi ligji i mëparshëm ka pushuar së vlejturi nga shkurti i vitit 2017.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)