Aktuale
14.6 milionë euro kredi për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturës Gjeohapësinore

Është nënshkruar Marrëveshja për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturës Gjeohapësinore, ndërmjet Qeverisë së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Botërore.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se qëllimi i këtij projekti është të modernizohen kadastrat e Kosovës derisa theksoi që kredia e marrë është në vlerë 14.6 milionë euro.
“Dëshiroj të falënderoj ekipin e Bankës Botërore për arritjen e finalizimit të kësaj marrëveshje që do të kontribuoj në përmirësimin e gjendjes së kadastrave të Kosovës. Është kry një pjesë e madhe e punës mirëpo ka nevojë që fusha të vazhdoj. Qëllimi i projektit është shume dimensional dhe përmes tij synohet të arrihet rindërtimi i kadastrave, rritja e transparencës përmes qasjes në të dhëna, modernizimi i kadastrës së Kosovës. Ky projekt kontribuon drejtpërdrejt në tregun e patundshmërive dhe zhvillimin ekonomik. Shuma është 14.6 milion euro, maturiteti 30 vite, 1,35% kostoja e interesit dhe është krejt jashtëzakonisht e dobishme. Projekti është projekt që do të kontribuoj në më shumë aspekte siç është edhe zhvillimi ekonomik. Sa i përket projektit tatimi në pronë ai është në disa faza”, tha Hamza.
Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, tha se ky projekt do të kontribuoj në zhvillimin ekonomik dhe si i tillë do të hap edhe vende të reja të punës.
“Ne jemi të nderuar të jemi pjesë e këtij projekti. Ministri foli për detajet dhe ne shpresojmë që do të vazhdojmë të dëshmojmë cilësi. Kjo është ne agjendën e zhvillimit ekonomik. Qëllimi është edhe të krijohen edhe vende të reja të punës. Ne do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë me këtë agjendë, ku përfshihet edhe trashëgimia e gruas për pronë” , tha ai, raporton Ekonomia Online.
Ministria e Financave së bashku me Bankën Botërore kanë nënshkruar gjithsej 12 marrëveshje në vlerë prej 168 milionë euro.
