Aktuale
1300 deponi ilegale në Kosovë, tani aplikacioni për të kërkuar ndihmë nga MHPH
Janë më shumë se 1300 deponi ilegale të identifikuara në tërë vendin.
Disa herë ka pasur aksione për pastrim të tyre, por rezultati vazhdon të mungojë.
Dhe, këto deponi me vite të tëra kanë qenë të identifikuara nga vetë banorët, si dhe nga zyrtarët komunalë, por asnjëherë nuk është ndërmarrë asgjë me arsyetimin se nuk ka fonde për projekte të tilla.
Një e tillë është edhe në fshatin Tupeq të Istogut, për të cilën banorët kanë 9 vjet që ankohen në komunë, por që kjo e fundit nuk ka ndërmarrë asgjë.
Mirëpo, ministritë përkatëse, në bashkëpunim me GIZ-in gjerman, kanë lansuar aplikacionin për kërkesa të qytetarëve dhe identifikim të deponive tjera ilegale “ndreqe.com”.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tha se përmes kësaj platforme do të rritet transparenca e komunave.
E, Luan Hasanaj nga iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën”, thotë se më mirë do të ishte që këto mjete të investohen në pastrimin e këtyre deponive, pasi që ato ka vite që janë të identifikuara.
Rozafa Ukimeraj nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal tha se kjo platformë do t’ua lehtësojë qytetarëve që ankesat e tyre t’i drejtojnë në komunat përkatëse.
Por, kryetarët e komunave thonë që secila komunë pothuajse i ka të identifikuara këto deponi.
Ndryshe, ky projekt është i financuar nga GIZ-i dhe për këtë vit ka dhënë një donacion prej 50 mijë eurosh.


