Aktuale
13 vdekje në vende të punës këtë vit, Inspektorati thotë se s’ka staf të mjaftueshëm për përmirësim të kushteve

Numri i punëtorëve që po vdesin në vendin e punës në Kosovë është duke shkuar në rritje.
Këtë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës po e quan alarmante, raporton KTV.
Kushtet jo të favorshme në punë, mungesa e mjeteve të duhura për punë, problemet me sigurime shëndetësore, janë vetëm disa nga hallet, me të cilat po përballen punëtorët në Kosovë.
Avni Ajdini, kryetar i BSPK-së, thotë se duhet të këtë aktakuza kur rastet përfundojnë me fatalitet në vend të punës, e jo vetëm gjoba simbolike për kompanitë private.
Ai ka kritikuar Inspektoratin e Punës se nuk po bën më shumë në lidhje me të drejtat dhe përmirësimin e kushteve të punës për punëtorët, e në veçanti për ata të sektorit të ndërtimtarisë.
Sipas kryetarit të BSPK-së, Inspektorati i Punës nuk po jep dënime të duhura, pasi ka frikë nga pushtetarët.
Por, në Inspektoratin e Punës thonë ndryshe.
Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, ankohet se kanë numër të vogël inspektorësh e që kanë bërë kërkesë që ky numër të rritet.
Në Kosovë, janë shtuar raste të shumta të punëtorëve, të cilët vdesin në vendin e punës, si pasojë e kushteve jo të favorshme për punë, ndërkaq Inspektorati i Punës vetëm gjatë 7 mujorit të 2018-ës, nga 5700 inspektime të bëra, ka gjobitur 169 kompani private e publike.
Dënimi më i madh që ka shqiptuar Inspektorati i Punës ndaj kompanive që kanë shkelur ligjin është 118 mijë euro.
