Aktuale
126 banesa të uzurpuara në kryeqytet që nga ’99-ta
Një numër jo i vogël i banesave në kryeqytet vazhdojnë të jenë të uzurpuara. Pavarësisht se nuk kanë asnjë dokument që do t’ua dëshmonte pronësinë mbi to, shfrytëzuesit nuk po pranojnë t’i lirojnë. Për disa prej uzurpatorëve, Ndërmarrja Publike Banesore tashmë është edhe në konteste gjyqësore dhe pret që të lirohen përmes vendimit të gjykatës.
Gati 130 banesa e prona të ndryshme në kryeqytet që shfrytëzohen jashtëligjshëm nga qytetarët tash e sa kohë. Për shfrytëzimin e tyre, ata nuk kanë asnjë marrëveshje me Ndërmarrjen Publike Banesore, dhe si të tilla llogariten të uzurpuara.
Zëdhënësja e NPB’së, Rajmonda Ahmetaj i ka thënë Gazetës Express se numri i pronave të kësaj ndërmarrje që aktualisht janë të uzurpuara shkon në 126.
Sipas Ahmetajt, këto prona janë të uzurpuara që nga viti 1999. Për shumicën e uzurpatorëve tashmë janë ngritur edhe padi.
“Uzurpatorët janë persona fizik ndaj të cilëve është ngritur padi civile për lirimin e banesave nga njerëzit dhe sendet në Gjykatën Themelore ne Prishtinë”, ka thënë Ahmetaj.
Sipas zyrtarëve të NPB’së, më së shumti prona të uzurpuara ka në lagjen “Dardania” e “Ulpianë”.
“Numri i pronave – banesave NPB-së të cilat janë të uzurpuara është 126 banesa. Pronat gjenden në zona të ndryshme të kryeqytetit: në lagjen “Dardania”, “Ulpianë”, “Bregu i Diellit”, “Hajdar Dushi” etj”, thuhet në përgjigjet drejtuar Gazetës Express.
Në këtë ndërmarrje deklarojnë se gjatë këtij viti kanë arritur që të lirojnë tri banesa përmes përmbaruesve privat. E të pyetur për emrat e uzurpatorëve të këtyre banesave, në NPB thonë se nuk e kanë një listë të saktë, meqenëse uzurpatorët janë ndërruar përgjatë viteve.
“Nuk kemi mundësi të ju dërgojmë një listë të saktë me emra të përveçëm të uzurpatorëve për shkak se objekt i këtyre padive është lirimi i banesave ndërsa proceset gjyqësore zgjasin me vite të tëra dhe në ndërkohë uzurpatorët janë ndërruar përgjatë viteve 1999-2019”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe gjatë vitit 2016 ishte publikuar edhe një listë e uzurpatorëve të pronave shoqërore nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), kjo listë edhe nxjerri në pah mosfunksionimin e ligjit në Kosovë për vite të tëra lidhur me çështjen e uzurpimeve.
Për lirimin e pronave të uzurpuara pati bërë thirrje dhe premtime, edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Sipas tij, asnjë uzurpator nuk do të lejohet që të qëndrojë në pronat e huaja.
“Më lejoni të theksoj se asnjë uzurpator nuk do të lejohet të qëndrojë në prona të huaja. Por në të njëjtën kohë ka dhe një të drejtë universale veçanërisht kur ka të bëjë me fëmijët. Asnjë forcë e as forca e pushtetit nuk është mirë të abuzohet mbi familjarët dhe me njerëz hallexhinj”, pati thënë Veseli, në kohën kur Policia kishte marrë aksion për lirimin e këtyre banesave.