Connect with us

Arkitekturë

12 mënyra për të bërë shtëpinë tuaj më të rehatshme për 12 muaj

Published

on

Viti 2019 do fillojë shumë shpejt, e si çdo fillim viti, priremi të bëjmë plane të detajuara mbi gjërat që duhet të ndryshojmë tek vetja apo tek ambienti që na rrethon.

Kur bëhet fjalë për shtëpinë, shumë shpesh kemi dëshirë të bëjmë përmirësime të dukshme në mobilim apo në arkitekturën e vetë shtëpisë, por impenjimet e ditës dhe kushtet ekonomike të momentit e kthejnë dëshirën në një “mision të pamundur”. Megjithatë, ka një mënyrë sesi mund ti arrijmë ndryshimet që duam: duke nisur nga detajet më të vogla!

Përpara se të shpenzojmë energji dhe para tek ndryshimet “me themel”, e kemi vetë në dorë t’i kthejmë shtëpitë tona në hapësira të këndshme, të rehatshme dhe praktike me vetëm pak modifikime të vogla, por tejet të efektshme. Mjafton të bëjmë një plan me disa pika ku mund të bëjmë ndërhyrje të lehta dhe t’i qëndrojmë besnikë sa herë kemi kohë të lirë.Meqenëse kemi të gjithë vitin përpara, kemi përgatitur për ju një listëme 12 ndryshime për t’u realizuar: një për çdo muaj! Nëse do t’a zbatoni me përpikmëri, viti 2018 do t’ju gjejë me një plan edhe më ambicioz

 

Janar

Fitoni kohë, niseni nga dollapi!

Fillimi i vitit është gjithmonë një periudhë e mbushur me impenjime, të cilat na marrin shumë kohë. Për pasojë, lind nevoja të organizojmë kohën për të mënjanuar vonesat apo të papriturat. Cila situatë mund të jetë shkaktare e rrezikshme vonesash qysh në fillim të ditës? Sigurisht, një garderobë e çorganizuar dhe e përpirë nga kaosi!
Sugjerojmë që Janari të jetë muaji kur ju merrni kontrollin e dollapit.Boshatiseni të gjithë dollapin nga veshjet dhe aksesorët e panevojshëm ose që nuk i vishni kurrë. Pasi keni bërë një spastrim të përgjithshëm, filloni të rivendosni veshjet sipas një rendi që ju përshtatet, për shembull: sipas ngjyrave, sipas stinëve etj. Sekreti është që të fitoni hapësirë dhe t’i bëni të gjithë veshjet dhe aksesorët tuaj sa më të dukshme.

 

Shkurt

Më e keqja kaloi, jepini dorën e fundit me rregull

Nëse arrini të vendosni rregull në dollap, besojeni apo jo, e gjithë pjesa tjetër e shtëpisë do të jetë tepër e lehtë për t’u sistemuar!Mbani ritmin e Janarit dhe vijoni të sistemoni një e nga një të gjitha hapësirat ku mbani sendet personale. Shkurtin e keni të gjithin në dispozicion, ndaj mos u dekurajoni dhe mos kurseni asnjë sirtar!Niseni me kuzhinën dhe më pas vazhdoni në të gjitha ambientet e shtëpisë. Falë këtyre përpjekjeve, jo vetëm kurseni hapësirë dhe eliminoni sendet e padobishme, por në të ardhmen do të mbani mend si me magji ku keni vendosur kullesën e makaronave, dokumentet, bizhutë apo librin me autograf nga autori i preferuar.

 

Mars

Investoni për një gjumë më të mirë

Muaji Mars shënon ndryshimin e stinëve, “ndërrimin e gjakut”, ndaj është mëse normale që të ndihemi pak më të lodhur dhe të na pëlqejë më shumë gjumi. Do t’ju tregojmë se si gjatë këtij muaji mund të bëni një gjumë më të rehatshëm, pa rikonstruktuar të gjithë dhomën e gjumit!Këshilla jonë? Përpiquni t’i jepni përgjigje (dhe zgjidhje!) çështjeve të mëposhtme:
– A është komod sa duhet krevati?
– Po jastëku?
– Sa cilësorë janë çarçafët?
– A është e ndriçuar mirë dhoma e gjumit?
– Cilat zhurma ju shqetësojnë gjatë natës?
– A është ideale temperatura e dhomës?Duke treguar më shumë vëmendje ndaj këtyre elementeve thelbësorë e me fare pak shpenzime, gjumi jo i qetë do t’i përkasë së shkuarës.

 

Prill

Rizbuloni magjinë e këndit të ngrënies
Të gjithë kemi në shtëpi një tavolinë ngrënieje, por sa e përdorim vërtet atë?
Shumica prej nesh, mëngjesin e konsumojmë shpejt, në këmbë apo tek banaku i kuzhinës, ndërsa darkën në divan, përpara TV.Përtej vonesës për në punë apo dëshirës për t’u çlodhur para serialit televiziv të preferuar, shkaku i adaptimit të kësaj rutine jo të shëndetshme lidhet me krijimin në mënyrë të pandërgjegjshme të pakënaqësive që lidhen me këndin tuaj të ngrënies.Mendoni cilat janë arsyet që ju shtyjnë të mos ndiheni rehat kur uleni rreth tavolinës. Ndriçimi është shumë i fortë apo tejet i ulët? Harxhoni shumë kohë në përgatitjen e tavolinës? Tavolina dhe karriket nuk janë të rehatshme? Zënë më shumë hapësirë seç është e nevojshme?Zbulojeni arsyen dhe bëjeni prioritet ta rregulloni gjatë muajit Prill. Këshilla jonë është të krijoni edhe një regjim të ri: shtroni tryezën çdo drekë apo çdo darkë dhe konsumoni ushqimin së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes. Përmes përdorimit të elementeve si qirinjtë apo seteve të reja të pjatave, mund ta bëni vaktin edhe më të këndshëm.

 

Maj

Rregull dhe hapësirë në tualet

Nuk është e nevojshme të modelojmë të gjithë tualetin, që ky i fundit të na falë një ndjesi luksi apo pastërtie. Shkaktare e rrëmujës shpesh bëhet mungesa e hapësirave të nevojshme për të sistemuar produktet kozmetike dhe ato të higjenës personale. Ka ardhur momenti t’i gjejmë vendin e përshtatshëm çdo akesori! Sipas hapësirës, konsideroni vendosjen e një rafti i cili do ju ndihmojë në organizimin më të mirë të produkteve. Nëse kjo nuk është e mundur, përdorimi i ndarëseve brenda rafteve ekzistuese do t’ju ndihmojë të magazinoni mjaftueshëm produkte, duke i dhënë një ndjesi më të pastër dhe funksionalitet tualetit.Në një moment të dytë, fokusohuni në zëvendësimin e aksesorëve të tualetit. Vlerësoni me kujdes gjendjen e peshqirëve apo edhe perdeve të dushit. Disa prej tyre mund të jenë vjetëruar me kohën ose më keq, mund të kenë zënë myk. Higjena vjen gjithmonë në rend të parë dhe tani është koha për të vepruar.

Qershor

Përballuni me sfidën e lavatriçes!

Koshi i rrobave të palara është gjithmonë i tejmbushur? Spostimi i këtij të fundit nga njëri ambient tek lavatriçja është një sfidë më vete? Dollapi i detergjentëve i ngjason një sheshi beteje: artikuj të vendosur në mënyrë të rrëmujshme dhe mbushur plot me sende të tjera të padobishme? Të gjitha këto e bëjnë eksperiencën e larjes së rrobave vërtet problematike.Këshilla jonë: këtë muaj, shpenzoni disa orë për të organizuar të gjithë procesin nga e para: nga magazinimi i detergjentëve, i rrobave të palara, deri tek vendosja e tyre me rregull në dollap. Shumë shpejt do të kuptoni se thjeshtëzimi i procesit do ju bëjë kurseni kohë dhe të dilni më shpesh nga shtëpia. Fundja, është verë!

Korrik

Koha për një shtëpi më ”të zgjuar”

A keni menduar ndonjëherë sa e thjeshtë do të ishte nëse mund të ndiznit apo të fiknit dritën e dhomës më nje click në smartphone tuaj? Po sikur të porosisnit darkën tek frigoriferi juaj dhe kuzhina juaj elektronike ta përgatiste vetë për ju?Përtej shakasë, ky vit është tejet i mbushur me novacione teknologjike për lehtësimin e proceseve brenda shtëpisë. Ato që përmendëm më lart, si dhe zgjidhje të tjera të ngjashme përbëjnë alternativa moderne, tejet të dobishme për t’i ardhur në ndihmë mënyrës dinamike të jetesës së ditëve tona.Me blerje apo investime të zgjuara, duke nisur nga çështjet më esenciale, ju mund të transformoni gradualisht shtëpinë në një “smart home”. Përfitimi? Kurseni kohë dhe energji, për pasojë më shumë mundësi për të shijuar eksperiencat që ju dhuron stina e verës: një ditë në plazh apo leximi i një libri buzë pishinës.

 

Gusht

Mjaft më gara me pengesa

Përpara se të rinisë periudha intensive e punës apo sezoni i shkollës së fëmijëve, filloni të modeloni e organizoni hyrjen e shtëpisë dhe koridorin. Nuk përfitoni vetëm rregull; në këtë mënyrë do t’i keni edhe më të lehta dhe praktike hyrje-daljet në shtëpi gjatë gjithë vitit.Hapi i parë: vendosni mjaftueshëm grepa dhe varëse për palltot, çantat e kapelet. Nëse vendosni në koridor një mbajtëse këpucësh me hapësirë të bollshme, shmagni rrëmujën dhe gjeni lehtë modelin që do të kërkoni sipas rastit.Mos u nxitoni duke u nisur nga dekori. Kur hyrja apo koridori të jetë i kompletuar me të gjitha elementet që lehtësojnë prakticitetin, vjen natyrshëm momenti i plotësimit me aksesorë estetikë.

 

Shtator

Përse jo një divan më shumë?

Mund të duket pak herët, por gjatë muajit shtator bëjmë mirë të mendojmë përgatitjet për stinën më të ftohtë të vitit dhe festat.Gjatë dimrit dhe pushimeve të fundvitit kalojmë më shumë kohë në shtëpi, veçanërisht në dhomën e ndenjes, ndaj përpara se të gjendemi në mesin e ciklonit të festave, le të marrim masat për të krijuar një ambient sa më të rehatshëm e të ngrohtë për veten dhe për miqtë.Tregohuni të sinqertë: dhoma juaj e ndenjes përmban vetëm nga një divan, një TV dhe një tryezë e ulët? Nëse po, merrni masat për ta bërë edhe më të përshtatshme për kohën tuaj të lirë. Shtoni një tapet, një tryezë anësore, një karrige të rehatshme e disa vepra arti. Sigurohuni që ndriçimi të krijojë atmosferë çlodhjeje dhe çdo mik të ketë një vend për t’u ulur.

 

Tetor

Më shumë dritë!

Jemi në muajin kur drita natyrale fillon të pakësohet ndërsa nata bëhët gjithmonë e më e gjatë. Është koha të mendojmë për një ndriçim sa më të përshtatshëm të shtëpisë.Përtej ndriçimit ambiental që përftohet nga dritat kryesore të banesës, duhet të mendoni të shtoni dhe disa burime të tjera drite në zona të caktuara. A janë të ndriçuara mjaftueshëm këndi i leximit, koridori apo ballkoni? A bën mjaftueshëm dritë abazhuri mbi komodinë?Filloni të mendoni se si të shtoni burime të tjera drite në çdo dhomë, në lartësinë e syrit dhe në formë trekëndëshi. Kjo zgjedhje praktike krijon më shumë atmosferë të ngrohtë, shton dritë aty ku mungon dhe fal më shumë energji pozitive.

 

Nëntor

Rizbuloni kënaqësinë e gatimit
Festat janë tek porta dhe shumë shpejt do të gjendemi me orë të tëra në kuzhinë duke gatuar pjata të shijshme. Prioriteti këtë muaj është të kemi një ambient gatimi praktik dhe komod gjatë festave, por edhe pasi magjia të ketë mbaruar.Merrni pak kohë për të riorganizuar çfarë mund të përmirësoni në kuzhinë. Mobiljet aktuale kanë mjaftueshëm hapësirë për të përmbushur të gjitha nevojat tona? I kemi të gjitha mjetet e nevojshme? Mos ndoshta ka servise gatimi të vjetra e të ndryshkura të cilat nuk i përdorim kurrë?Kjo është periudha perfekte për të menduar seriozisht mbi të ardhmen e raportit tuaj me kuzhinën. Niseni duke personalizuar hapësirat sipas një rendi që përshtatet më së miri me mënyrën se si gatuani. Gjithashtu tregohuni të pamëshirshëm me pajisjet elektroshtëpiake apo me mjetet e gatimit të vjetëruara: atëherë kur do të keni më shumë nevojë për to, do t’ju braktisin.

 

Dhjetor

Koha për më shumë argëtim

Të mirat ruhen për në fund! Periudha e fundvitit është në vetvete e tejmbushur me aktivitete; koha e lirë është pakët dhe duhet shfrytëzuar për të festuar! Nuk është e nevojshme që gjatë këtij muaji të përfshihemi me punime apo rregullime, por të gjejmë mënyra të reja se si ta pasurojmë shtëpinë me elemente zbavitëse.Këtë herë, mos harroni t’i bëni një dhuratë edhe vetes tuaj. Si thoni për një minibar të vendosur në njërin prej këndeve të dhomës së ndenjes? Apo më mirë një televizor më i madh dhe cilësi më të mirë? Një divan i rehatshëm me shtrat të gjerë do të ishte perfekt për të gjithë familjen. Të gjitha alternativat vlejnë, vetëm e vetëm për ta kthyer shtëpinë tuaj në një ambient më çlodhës dhe argëtues. Përpara ju pret një vit tjetër, me synime dhe arritje të reja.

Arkitekturë

Çfarë është arkitektura kinetike?

Published

on

Dizajni kinetik është bërë një pjesë thelbësore e zhvillimit arkitektonik, nga shpikja e urave të lëvizshme në Egjiptin e lashtë deri te dhomat rrotulluese në shtëpinë e Sharifi-ha. Megjithatë, si arritëm nga kjo në këtë? Për të kuptuar konceptin e arkitekturës kinetike, le të hedhim një vështrim më të thellë në origjinën e saj.

“Kinetic” rrjedh nga fjala greke kinētikos, që do të thotë “lidhur me lëvizjen muskulare”, ndërsa përkufizimi arkitektonik është koncepti “lejimi i pjesëve të një strukture të lëvizin, pa zvogëluar integritetin strukturor”. me fjalë të tjera, është arkitekturë në formën e një trupi në lëvizje.

Një nga format më të hershme të arkitekturës kinetike është tenda e beduinëve, e përdorur në Afrikën e lashtë. Kjo strukturë elastike ftohëse është e adaptueshme ndaj klimës së shkretëtirës dhe urës së lëvizshme, një mekanizëm mbrojtës i zhvilluar në Egjipt dhe më vonë i përdorur zakonisht në shekullin e 15-të.

Megjithatë, arkitektët filluan të pranojnë konceptin e Arkitekturës Kinetike vetëm në fillim të shekullit të 20-të. Shembuj janë vizatimet e Yakov Chernikhov në Fantazitë arkitekturore dhe koncepti i pandërtuar i Thomas Gaynor për Ndërtesën Rotary në 1908, megjithatë këto botime ishin ende thjesht teorike.

Një projekt që u ndërtua ishte Villa Girasole nga inxhinieri i Marinës Angelo Invernizzi. E ndërtuar në vitin 1935, ajo është një shtëpi rrotulluese që ndjek lëvizjen e diellit për të maksimizuar nxehtësinë dhe dritën në brendësi. Girasole, e cila në italisht përkthehet në Luledielli, ndodhet në një bazë rrethore me diametër 44 metra dhe është një vepër e jashtëzakonshme arkitekturore e ndërtuar gjatë epokave të arkitekturës funksionaliste dhe futuriste.

Më vonë në shekullin e 20-të, arkitektët e zhvendosën fokusin e tyre në arkitekturën kinetike. Teori të tilla si Manifesti i Arkitekturës Mobile të Yona Friedman dhe Planifikimi Hapësinor i Qytetit, Pallati i Argëtimit të Cedric Price dhe Qyteti Plug-in i Peter Cooke u botuan. Megjithatë koncepti i arkitekturës kinetike u prezantua për herë të parë në vitin 1970 nga William Zuk, i cili botoi librin Kinetic Architecture. Kjo tërhoqi më tej interesin për konceptin kinetik ndërsa u zhvilluan shkenca kompjuterike dhe teknologjitë e ndërtimit.

Shembuj të tjerë përfshijnë shtëpinë Sharifi-Ha, e cila siguron vëllime banimi që rrotullohen për t’u kthyer në tarraca në verë dhe mbyllen në dimër, dhe Muzeu i Artit Milwaukee, me mburojën e tij të lëvizshme të diellit, i përbërë nga 72 pendë çeliku që palosen dhe shpalosen. sipas kohës së ditës, dhe Kulla Al Bahar, me një fasadë që ndjek lëvizjen e diellit për të çuar panelet e tekstilit me fije qelqi në formë ylli të hapen dhe mbyllen, duke mbrojtur banorët nga nxehtësia dhe shkëlqimi diellor.

Ka shumë shembuj të tjerë që shfaqin mundësitë e pafundme të arkitekturës kinetike, por në fund të fundit, dizajni kinetik ka ndikuar në ndërtesa në parametra të tillë si koha, moti, energjia dhe nevojat njerëzore që nuk janë statike, por më tepër dinamike. Si rezultat, dizajni kinetik i lejon ndërtesat të zhvillojnë sisteme komplekse që u përgjigjen nevojave të tyre të veçanta./Media Ndërtimi

Continue Reading

Arkitekturë

Rizhvillimi “i shëmtuar” në Liverpool, fiton çmimin për ndërtesën më të keqe të Britanisë

Published

on

Rizhvillimi i Lime Street në Liverpool nga studio britanike Broadway Malyan është emëruar ndërtesa e re më e keqe në vend në Kupën Carbuncle të këtij viti.

Organizuar nga revista e Mbretërisë së Bashkuar The Fence, gjyqtarët zgjodhën rizhvillimin e Lime Street si “ndërtesën e re shumë të keqe në Britani”, që kur konkursi u zhvillua për herë të fundit në 2018.

“Që nga shikimi i parë, dy nga paneli ynë e kishin këtë si përzgjedhjen e tyre numër një, dhe ndërsa lista e gjatë u ngushtua në një listë të ngushtë, kjo pjesë e tmerrshme e fatkeqësisë arkitekturore vazhdoi të qëndronte jashtë,” tha The Fence në njoftimin e çmimit.

Përfunduar në vitin 2019, dizajni i rizhvillimit të Broadway Malyan përmban panele metalike të gdhendura që përfshijnë një fasadë të rrugës që çon nga stacioni i trenit Liverpool Lime Street.

Panelet e gdhendura përshkruajnë ndërtesat shekullore që u shkatërruan për t’i hapur rrugë rizhvillimit, i cili tani përmban një hotel dhe strehim studentësh.

I ringjallur nga The Fence për vitin 2024, Carbuncle Cup synon të identifikojë ndërtesat më të këqija të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo u drejtua çdo vit midis 2006 dhe 2018 nga revista e arkitekturës Building Design (BD)./Media Ndërtimi

Continue Reading

Arkitekturë

Arkitektura e kontrollit: Peizazhet e çuditshme postmoderne të Koresë së Veriut

Published

on

Rrokaqiejt postmodern bashkëjetojnë me monumente socialiste në shtetin e izoluar. Shumë prej fotografive janë të publikuara nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve dhe nuk kanë datë se kur janë bërë.

Ndërtesat e larta e shumëngjyrëshe shihen përreth një monumenti të vjetër në Phenian në Korenë e Veriut, 11 shtator 2018, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Pamje gjatë natës e distriktit Songhua në lindje të Phenianit, në Korenë e Veriut. Fotoja është publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA), por nuk ka datë se kur është bërë.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë një vizite në një zonë të zhvilluar banimi në rrethin Huaseong në Korenë e Veriut, në këtë foto të publikuar më 6 prill 2024 nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, KCNA.

Pamje e përgjithshme gjatë ceremonisë së hapjes së Fermës së Serës Ryonpho për të shënuar përvjetorin e themelimit të Partisë së Punëtorëve në pushtet, në Korenë e Veriut, në këtë foto pa datë, e cila u publikua më 11 tetor 2022 nga KCNA-ja./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending