Aktuale
Në Shqipëri e shembin një hidrocentral
Hidrocentrali i parashikuar për t’u ndërtuar në afërsi të Kanionit të Holtës në Bashkinë e Gramshit nuk do të ndërtohet. Pas dëgjesave me banorët, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me autoritetet e tjera, ka bërë të mundur shembjen e digës së betonit e ndërtuar në afërsi të Kanionit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, së bashku me kryetarin e Bashkisë Gramsh, Klodian Taçe, ndoqën nga afër aksionin për shembjen e këtij objekti.
Në prononcimin për mediat, zëvendësministri Bonati u shpreh se vendimi për moslejimin e ndërtimit të HEC-it në Kanionin e Holtës erdhi pas shqetësimit të adresuar nga qytetarët dhe analizës së bërë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me autoritetet e tjera për ndikimin që shkaktonte kjo vepër në mjedis.
Bonati bëri të ditur gjithashtu se do të punohet deri në kthimin e territorit në të njëjtën gjendje në të cilën ishte para se të realizoheshin punimet.
“Jemi këtu për këtë vepër ndërtimore këtu pas dëgjesave që kemi bërë me komunitetin, banorët e zonës por edhe me persona të tjerë që e frekuentojnë Kanionin e Holtës, dhe analiza që është bërë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministritë e tjera dhe për të parë problematikën që kjo krijon. Sot jemi këtu për të prishur këtë vepër ndërtimore e cila edhe nga shqetësimet e ngritura dëmton edhe peizazhin dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme me rikuperimin komplet të pjesës lumore sikurse ka qenë”, u shpreh Bonati.