Aktuale
Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë me objekt të vogël dhe pak staf
Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë ofron shërbime për 1 mijë e 300 pacientë në një hapësirë të vogël dhe me staf të mjaftueshëm. Dita Botërore e Shëndetit Mendor, e gjen këtë Qendër me një psikiatër, me dy psikologe dhe me numër të vogël të infermierëve për shëndet mendor.
Drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor, Sami Rexhepi, në një intervistë për KosovaPress, është shprehur se edhe pse staf i vogël në numër arrijnë që të ofrojnë shërbime cilësore.
“Kjo qendër është qendër për regjionin e Prishtinës, ne i mbulojmë diku rreth 1 mijë e 300 klientë, që nuk ka hapësirë të mjaftueshme, nuk kam mjaftë infermierë për shëndet mendor, jam i vetmi psikiatër dhe i kam dy psikologe. Ndërsa, në kuadër të Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë funksionojnë dy shtëpi integruese, një në Fushë Kosovë, një në Drenas, ku i kemi nga 10 klientë të cilët janë të shtrirë dhe kanë kujdes 24 orë, ndërsa qendra në Prishtinë dhe në Podujevë është për shërbime qëndrim ditor të klientëve. Krejt kjo nuk mjafton për një regjion çfarë është Prishtina”, tha ai.
Sipas tij, problem për ndërtimin e një objekti të standardeve më të larta nuk kanë qenë fondet, por gjetja e një hapësire adekuate ku do të ndërtohej.
Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, Rexhepi ka një kërkesë për të gjitha mediat kosovare, që sipas tij ato duhet që për 364 ditë të vitit të promovojnë shëndetin mendor, ndërsa sot kur është Dita Botërore e Shëndetit Mendor të jetë festë.
Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë ka filluar punën me 17 shtator 2003 dhe ofron shërbime psikiatrike, shërbime psikologjike, shërbime psikosociale, psikoedukimi i familjes, teknika të ngritjes së vetëdijes, vizita shtëpiake, qëndrimi ditor, terapi individuale dhe grupore, aktivitete rehabilituese dhe aktivitete rekreative./KosovaPress/