Connect with us

Aktuale

​Institucionet, jo transparente me mediat dhe shoqërinë civile

Published

on

Gazetarët, shoqëria civile dhe Avokati i Popullit kanë deklaruar se institucionet publike po vazhdojnë të jenë jo transparente në ofrimin e informacioneve të cilat kërkohen nga gazetarët.

Marrja e një reagimi për një çështje të caktuar nga institucionet publike në vend po vazhdon të jetë sfidë ku pritja me javë për një përgjigje po e vështirëson punën e gazetarëve në informimin e publikut për çështje të caktuara.

Punën e gazetarëve nuk e ka lehtësuar as Ligji për Qasje në Dokumente Publike, i cili nuk po gjen zbatim. Përkundër që ligji e parasheh që institucionet duhet t’i përgjigjen kërkesës për qasje në dokumente publike brenda 7 ditëve prej kur parashtrohet kërkesa, shpeshherë nuk ka fare përgjigje nga institucionet.

Problematike mbetet edhe fakti që edhe në rastet kur ofrohet qasje në këto dokumente publike nuk jepen të gjitha informacionet e kërkuara.

Gazetari i të përditshmes “Koha Ditore” Fitim Gashi, thotë për KosovaPress se institucionet po vazhdojnë të jenë jo transparente veçanërisht kur kërkohen informacione që kanë të bëjnë me shpenzimet publike.

Ai thotë se institucionet më jo transparente vazhdojnë të jenë Presidenca, Qeveria dhe ministritë, për të cilat thotë se ka dërguar shumë pyetje e për të cilat nuk ka marrë përgjigje.

“Edhe gjatë vitit 2019 sikurse viteve të kaluara ka munguar transparenca në institucionet publike, sidomos kur ka të bëjë me shpenzimet publike, me kontratat publike të cilat duhet t’i publikojnë vet Qeveria, po edhe ministritë, si dhe emërimet e shumta të cilat bëhen në pozita të rëndësishme shtetërore. Nga ajo që kam ndjekur ose nga kontakti që kam pasur me institucione të ndryshme kisha thënë se institucionet më jo transparente në këtë rast janë Presidenca, Qeveria dhe ministritë. Kisha veçuar këtu edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, është një ministri për të cilën kam raportuar vazhdimisht sa i përket emërimeve dhe gradimeve që janë bërë në pozita të rëndësishme, informatat kemi arritur t’i sigurojmë vetëm nëpërmjet rrugëve jo zyrtare, konkretisht përmes sinjalizuesve brenda këtij institucioni për shkak se në asnjë moment MPJ nuk ka ofruar sqarime”, thotë ai.

Gashi thotë se edhe pse Kosova ka një infrastrukturë të mirë ligjore sa i përket qasjes në dokumente publike, jo çdo herë institucionet ofrojnë këtë qasje ose edhe kur e ofrojnë atë qasje është shumë e mangët, pasi sipas tij nuk e ofrojnë atë informacion që është kërkuar.

Ai thotë se shpeshherë më lehtë ka marrë informacione nga sinjalizuesit sesa nga vet institucionet.

Të gjitha institucionet publike në kuadër të departamenteve të tyre kanë edhe zyrën për informim, por që këto zyra sipas gazetarit Gashi nuk u ofrojnë informacionet që i kërkojnë, pasi që shpesh herë ai thotë se nuk kthejnë përgjigje në pyetjet e dërguara.

“Është e vërtetë që ekzistojnë këto zyre për informim, mirëpo kisha thënë se në shumicën e rasteve ato më shumë shërbejnë për të propaganduar punën ose ato informacione të cilat ata vet duan t’i plasojnë, po jo edhe ato informata për të cilat kanë interes mediumet ose gazetarët. Ka raste të shumta kur këto zyre nuk ofrojnë përgjigje, mirëpo tash është një dukuri tjetër që qoftë zyrtarët publik apo edhe kryeministri po i shfrytëzojnë platformat ose rrjetet sociale për të publikuar informata, që sigurisht për ne si gazetarë është e mangët, për shkak se ne gjithmonë duhet të kërkojmë më shumë sqarime për ndonjë çështje të caktuar e cila fatkeqësisht nuk është se ofrohet nga zyrat e informimit”, thotë Gashi.

Se gazetarët përballen me vështirësi për marrjen e informacioneve nga institucionet e vendit e thotë për KosovaPress edhe kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli-Pustina.

Ajo deklaroi sesa i përket transparencës së institucioneve karshi mediave gjendja është larg asaj se çfarë do të duhej të ishte.

Begolli thotë se pushtetarët janë të gatshëm të japin intervista dhe të flasin për tema të caktuara, por që sipas saj kur kërkohet përgjigje për kontrata me shuma të mëdha ata gjithmonë hezitojnë t’i përgjigjen interesimit të gazetarëve.

“Gazetarët nuk e kanë problem të qasen apo t’i kenë ato informacione të cilat janë publike në përgjithësi, mirëpo kemi vështirësi të mëdha në marrjen e atyre informacioneve që kemi të bëjmë sidomos me kontratat. Ne e dimë se për dhënien e këtyre informacioneve më së paku janë apo u lejohet të kenë qasje me gazetarët zyrtarëve për media qoftë në institucione lokale apo qeveritare. Kështu që, është mirë që realisht gazetarët tanë po e bëjnë një punë jashtëzakonisht të mirë në informim të publikut dhe aspak nuk bazohen në zyrat për media, sepse e dinë me saktësi që shumica prej tyre funksionojnë që të thonë atë që dëshirojnë ta thonë vet shefat e tyre, rrjedhimisht qoftë ministrat apo kryetarët e komunave. Kështu që, fatmirësisht po gjejnë kanale të tjera dhe po kanë mundësi të informojnë, të bëjnë tema shumë të mira, të informojnë publikun mbi atë se çka është duke ndodhur tek ne”, thotë ajo.

Ajo thotë se edhe ligji për qasje në dokumente publike nuk po respektohet nga institucionet e vendit, ku përmend faktin se mediat për vite me radhë nuk kishin arritur t’i marrin faturat e shpenzimeve të kryeministrave të vendit.

Një ndihmesë për gazetarët, Begolli thotë se është ligji për sinjalizuesit, i cili po u ndihmon mediave që të nxjerrin në pah keqpërdorime të shumta që fshihen nga institucionet.

AGK në muajin prill të këtij viti do të publikojë raportin ku do të bëhen publike të gjitha vështirësitë me të cilat përballen gazetarët.

Përveç mediave edhe organizatat e shoqërisë civile deklarojnë se institucionet e vendit vazhdojnë të mos jenë transparente, megjithatë thonë se ka një përmirësim krahasuar me vitet e mëhershme.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës i tha KosovaPress-it se institucionet vazhdojnë të mos jenë transparente kur kërkohet qasje në tenderë të ndryshëm.

Ai thotë se ka raste kur kërkesat e KDI-së për qasje në dokumente publike janë refuzuar, ndërsa potencon se ka pasur raste kur ani pse është lejuar qasja dokumentet e ofruara kanë qenë gjysmake.

“Institucionet tona krahasim me vitet e mëhershme janë më transparente, në kuptimin e dorëzimit të dokumenteve, por jo transparente për dorëzimin e dokumenteve në të cilat potencialisht fshihen afera korruptive. Ka pasur raste kur kemi kërkuar qasje në dokumente publike të cilat nuk na janë ofruar dhe ka pasur raste kur kemi kërkuar qasje dhe na është ofruar, pra kemi dy të ndryshme. Rastet kur nuk na është ofruar gjithmonë e kemi pasur parasysh se mund të fshihet diçka dhe kemi shkuar më tutje, pra i kemi dërguar tek Avokati i Popullit dhe disa raste edhe në gjykatë. Por, në rastet kur na është ofruar atëherë e kemi pa që dokumentet që na janë ofruar kanë qenë ndonjëherë të plota, ndonjëherë kanë qenë edhe të paplota, pra kanë ofruar qasje gjysmake duke mos ofruar të gjitha informatat të cilat janë kërkuar. Tash ballafaqimi me të cilat jemi marrë ne besoj që edhe mediat çdo d itë ballafaqohen, sidomos në rastet kur kanë hulumtime për çështje të caktuara dhe ne për hulumtime për çështje të caktuara sidomos në tenderët publik sfidë më të madhe e kemi qasjen në dokumentet apo në vendosje të tenderëve”, thotë Spahija.

Ai përmendi tenderin për autostradën “Arbën Xhaferi” ku dosja iu është ofruar vetëm për ta parë por jo edhe fizikisht. Një rast tjetër Spahija përmend kur kanë kërkuar për dy vite me radhë nga Komisioni Qendror Zgjedhor qasje në raportet financiare të pa audituara të subjekteve politike, por që asnjëherë nuk kishin arritur t’i marrin informacionet e kërkuara.

Sa i përket rolit të zyrave për media në institucionet publike, Spahija thotë se nga këto zyre mund të marrësh informacione që nuk kanë ndikim politik, ndërsa sipas tij nëse kërkesa ka implikime politike marrja e përgjigjes është shumë e vështirë.

Ndërkaq, Artan Demhasaj nga organizata Çohu, thotë se ka përmirësime sa i përket qasjes në dokumente publike, por potencon se ka institucione që vazhdojnë të mos lejojnë qasje në dokumentet që kërkojnë të kenë qasje.

Në rastet kur institucionet nuk janë përgjigjur pozitivisht kërkesave të tyre, Demhasaj thotë se i janë drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit.

“Situata mundet me qenë pak më mirë sesa viteve të kaluara sa i përket qasjes në dokumente publike sepse në shumicën e rasteve ki përgjigje pozitive dhe institucionet të japin informacione apo dokumentet që i kërkon. Por, kjo varet varësisht nga dokumentet që i kërkojmë, janë një kategori e dokumenteve që është më lehtë me qenë të qasshme për shkak se nuk janë shumë të ndjeshme, por janë pastaj një kategori e dokumenteve dhe informacioneve që kërkohen e që janë më të ndjeshme dhe ka hezitim më të madh brenda institucioneve për me të dhënë qasje. Por, situata është më e mirë, por ka institucione dhe ka informacione që kërkohen që vazhdimisht ka një lloj rezistence nga ana e institucioneve për mos me na dhënë qasje. Së fundi kemi kërkesë të vazhdueshme me Ministrinë e Arsimit që po kërkojmë disa informacione që lidhen me universitetet private në Kosovë, e që vazhdimi sht jemi duke pasur të themi shkelje të afateve ligjore dhe njëkohësisht edhe rezistencë nga ana e Ministrisë së Arsimit për me na dhënë qasje në këto informacione”, thotë ai.

E ndonëse zyrat për media në institucionet publike do të duhej të ndihmonin punën e mediave dhe të organizatave për t’iu ofruar qasje në informacionet që kërkojnë, Demhasaj thotë se këto zyre luajnë rolin vetëm të ndërmjetësuesit mes mediave dhe departamenteve në të cilat kërkohet informacioni.

“Zyra për informim, të paktën në bazë të përvojës tonë që e kemi, është më tepër vetëm si një mjet komunikimi apo ndërmjetësimi mes nesh dhe të themi departamenteve apo kujtdo që i ka ato dokumente që ne i kërkojmë. Tash, zyra për informim është vetëm një mekanizëm që e pranon kërkesën tonë, pastaj zyra e dërgon tek një mekanizëm më i lartë në hierarki që ka dokumentin. Pastaj, zyra për informim varet nga udhëheqësi i atij departamenti se a donë apo nuk dëshiron të lejojë qasjen në ato dokumente që ne i kërkojmë. Pra, janë efektive në aspektin e pranimit të kërkesave dhe dërgimit të kërkesës aty ku duhet, po pastaj çështjet tjera nuk varen nga zyra për informim”, shprehet ai.

Gazetarët, organizatat e shoqërisë civile, po edhe persona të tjerë, në rastet kur nuk iu lejohet qasja në dokumentet zyrtare i janë drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit.

Edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari deklaron për KosovaPress se janë më shumë se 100 ankesa që i janë drejtuar këtij institucioni sa i përket mos lejimit të qasjes në dokumente zyrtare, e në 80 përqind të rasteve ai tha se është vendosur në të mirë të gazetarëve.

“Ligji nuk është zbatuar sa duhet për qasje në dokumentet zyrtare, mirëpo gjithashtu është fenomen që nuk është shfrytëzuar sa duhet. Ne këtë vit kemi një dyfishim të madh të ankesave që i referohen pikërisht qasjes në dokumente zyrtare dhe pikërisht në pjesën dërrmuese vijnë nga gazetarët. Nëse nuk gaboj janë diku mbi 100 ankesa që janë të regjistruara në Institucionin e Avokatit të Popullit për qasje në dokumentet zyrtare dhe nëse nuk gaboj këto statistika flasin për 70 përqind ose 80 përqind e tyre veç janë zgjedhur pozitivisht deri më tani. Kështu që, kemi qenë bukur të suksesshëm në zgjedhjen e këtyre rasteve në dobi të kuptohet gjithmonë gazetarëve”, thotë ai.

Ligji për Qasje në Dokumente Publike u garanton të drejtën secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente publike, të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike, si dhe të drejtën për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending