Në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, Muzeu Kombëtar i Kosovës hapi ekspozitën me titull “Trashëgimia Kulturore dhe jeta ndër Breza”.
Përmbajtja e këtyre fotografive, vizitoreve i’u ofron mundësi të shumta informimi, si për: mjedisin kulturor; arkitekturën tradicionale; veglat dhe mjetet e punës të sektorit primar dhe të zejtarisë; për disa zeje në shuarje ose tashmë të shuara; për veshje tradicionale dhe të kohës në proces; për forma tradicionale të punës në bujqësi; për poçarinë tradicionale dhe format e plasimit të prodhimit poçar; transportin dhe rrugëtimin; shtresat sociale dhe gjendjen civile; infrastrukturën mjedisore të kohës; tybeleshat shqiptare – zakon ky i rrethanave të trashëgimisë kulturore; ritin e kumbarisë – përmes prerjes së flokut; mënyrën e të kënduarit me gisht në fyt, nga vajza drenicake, tash e sa vite i harruar në traditën e kësaj krahine; lojëra tradicionale të fëmijëve; për tregjet e organizuara në qendra të ndryshme, e shumë e shumë çka tjetër.
Kjo është ekspozita e dytë, e cila na sjell në Tiranë një pjesë të rëndësishme të memories urbane kosovare që mund të jenë harruar dhe që mund të kenë qenë rite ose doke të vjetra të cilat pritet të ripërsëriten./Media Ndërtimi.