Ditë më parë, kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama njoftoi se kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Klubin Alpin Prishtina për definimin e shtigjeve në Gërmi dhe vendosjen e shenjëzimeve.
Por nga ambientalistë pati reagime në lidhje me këtë marrëveshje të arritur.
Në një reagim në rrjetin social Facebook thuhej se para se të arrihej një marrëveshje e tillë, duhet të diskutohet me qytetarët për planin menaxhues.
Po ashtu pati akuza se për hapjen e këtyre shtigjeve nuk pati tender.
“Ligjërisht në zonat e mbrojtura të Natyrës duhet plani hapësinor dhe menaxhues nuk guxon asgjë të veprohet pa atë plan i cili duhet të hartohet edhe me pjesëmarrjen e qytetarëve. Se dyti kur është hap tenderi për hapjen e këtyre shtigjeve?” thuhet në reagim.
Mirëpo në një përgjigje për Ndërtimi.info, drejtoresha e drejtorisë së Parqeve Donika Çeta thotë se ky është memorandum bashkëpunimi i cili nuk përkon me intervenime fizike por as hapje të shtigjeve të reja.
“Me Klubin Alpin është bërë një Memorandum Bashkëpunimi i cili konsiston në definimin dhe rrjetëzimin (shënimin) e rrjetit të shtigjeve në zonën e peizazhit të mbrojtur Gërmia (pra, nuk përkon me intervenime fizike as me hapje të shtigjeve te reja). Ky projekt ka vetëm për qellim që këtë zonë me potencial për herë të parë ta bëjë me rrjet të shenjëzuar të shtigjeve për veprimtari rekreative, sportive dhe turistike” thuhet në përgjigje.
Tutje Çeta thotë se kjo po bëhet për të parandaluar hapjen e shtigjeve të reja nga qytetarët, dhe krijimin e hartës së shtigjeve.
Për këtë intervenim ajo thotë se nuk do të mungojnë konsulencat profesionale.
“E gjitha kjo po bëhet me qëllimin e mbrojtjes së mjedisit pasi që deri më tani shtigjet jo vetëm qe nuk kanë qenë të definuara por shumë grupe të qytetareve kanë hapur shtigje të tjera prej atyre ekzistuese duke i bërë qytetarët konfuz në orientimin e tyre gjatë ecjes. Definimi i tyre parandalon çdo hapje të re dhe me të krijohet harta e shtigjeve të cilat do të jenë të përshtatshme për ecje, për grupe të ndryshme të qytetareve me informata të mjaftueshme, varësisht cilat shtigje duan t’i përshkojnë.
Gjatë studimit të fizibilitetit nuk do të mungojë konsulenca profesionale nga zyrtar të Institucioneve relevante që ndërlidhen me procesin e definimit dhe shenjezimit të shtigjeve” përfundoi Çeta./Media Ndërtimi