Në ishullin e Sazanit, Vlorë, ka nisur sot një aksion i përbashkët pastrimi në kuadër të fillimit të sezonit turistik i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Të pranishëm kanë qenë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici, prefekti i qarkut Flamur Mamaj dhe nënkryetarja e bashkisë së Vlorës, Aulona Veizi në një aksion simbolik pastrimi në ishullin e Sazanit.
Në fjalën e tij ministri Klosi tha se “së bashku me qindra të rinj të kësaj zone kemi ardhur në Sazan për të promovuar një sezon të hapur tashmë në dakordësi të dy institucioneve tona, Ministrisë së Turizmit dhe të Mbrojtjes për më shumë turizëm në këtë vend të mrekullueshëm”.
“Në kuadër të projektit që kemi për gjatë gjithë sezonit turistik zhvilluam një aksion pastrimi duke u përpjekur që të sensibilizojmë gjithnjë e më shumë operatorët turistikë, të cilët e kanë detyrim që përveç se të sjellin turistë në zonën e Sazanit dhe Karaburunit duhet të trajtojnë mbetjet urbane në këtë zonë”, – theksoi Klosi.
Ministri Klosi tha se “sot ne do të donim të ishte një ditë e bukur promovimi për këtë destinacion të mrekullueshëm të turizmit shqiptar. Natyrisht kujdes për të gjithë ata që kanë detyrimet dhe institucionet e pushtetit lokal dhe kompanitë e ndryshme në këtë fushë për të mbajtur më pastër mjedisin”.
Sipas tij, do të jetë një aksion interesant për të lënë një destinacion të pastër, që duhet të mirëmbahet nga pushteti lokal.
“Duhet të kenë përgjegjshmëri qytetarët, shoqëria, institucionet e pushtetit vendor dhe lokal. Tashmë sezoni turistik po fillon gjithmonë e më i plotë, hapja e kufijve dhe lëvizja e lirë drejt vendeve të BE-së do të rikthejë gjallërinë e turizmit në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë. Muajt korrik, gusht, shtator do të jenë me më shumë prezencë të turistëve të huaj, prandaj duhet të përgatitemi gjithmonë e më shumë”, – tha Klosi.
Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, theksoi se “pastrimi është kryefjala e turizmit”.
“Pastrimi ka qenë kryefjala e turizmit edhe në Vlorë dhe shqetësimi kryesor që kanë pasur turistët. Normalisht institucionet edhe bashkia edhe kushdo duhet t’i kushtojë shumë vëmendje, sepse pa pastrimin ne nuk do të kemi kurrë turizmin që presim”.
Gjiknuri u shpreh se “elementi bazë për shumë turistë edhe në Sazan ka qenë se si të jetë ambienti i pastër, kështu që secili nga ne të japë kontributin e tij dhe kjo është një gjë e mirëpritur dhe pres që institucionet lokale të bëjnë më shumë në këtë drejtim, sepse duhet menduar për një plan menaxhimi edhe për ishullin në këtë pikëpamje”.
“Ishulli pavarësisht se është pjesë e territorit kombëtar është pjesë edhe e territorit të bashkisë së Vlorës dhe është pjesë e lidhjes së turizmit të bashkisë, prandaj nga kjo pikëpamje meriton më shumë vëmendje”, – theksoi Gjiknuri. atsh