Connect with us

Infrastrukturë

Aksidentet në kantieret e ndërtimit, gjysma e dosjeve “pushohen” në prokurori

Published

on

21 qershori duhej të ishte si çdo ditë tjetër pune për Taulant Dikën. Dhe deri në orën 18:20, ajo ishte e tillë. Ai ishte punësuar në fasoneri, një biznes që zhvillohet në Fushë Thumanë, prej mëse dy vitesh.

Nga tetori 2022, kur u pranua Taulanti, nuk kishte pasur asnjëherë probleme, deri të mërkurën, ditë në të cilën ai aksidentalisht u ´masakrua´ nga një makineri, duke humbur jetën tragjikisht.  Brenda një minute të llahtarshme, punëtori u rrëzua i pajetë përtokë, në sytë e kolegëve që s’mundën dot ta shpëtojnë.

Arnold Shima, i cili ishte në punë atë ditë u bë dëshmitari okular i ngjarjes dhe në  rrëfim, ai  përshkruan çastet e fundit të jetës së Taulantit. “Isha bashkë me të duke punuar, kur Taulanti shkoi për të futur një transpalete poshtë makinerisë duke e ngritur nga dyshemeja. Makineria është zhvendosur dhe rrotulluar duke e goditur në pjesën e gjoksit. Dëgjova zhurmë dhe  menjëherë u afrova tek traxha”.

Aty, Shima kujton se pa shokun të shtrirë përtokë: “Iu afrova, por Taulanti nuk reagoi dhe nuk kishte shenja jete’-shton dëshmitari  në fashikull, për ngjarjen aksidentale që i mori jetën në punë kolegut të tij.

Duke këqyrur vendin e ngjarjes brenda fasionerisë, policia lokale e Krujës u bind se gjendej përpara shkeljes së rregullave të sigurisë në punë, parashikuar nga neni 289 i Kodit Penal. Tre orë më vonë, mbas verifikimeve , oficerët i vendosën prangat  Fredi Kaleshit, një 48-vjeçar nga Kruja, i cili rezultoi se administronte fasonerinë me objekt prerje dhe qepje këpucësh.

Por i dyshuari qëndroi vetëm pak orë i arrestuar, pasi prokuroria kërkoi ndryshim të masës nga arrest me burg në detyrim paraqitje, një kërkesë që u pranua nga gjykata. Si rrethanë lehtësuese për të dyshuarin përmendet deklarata e 48-vjeçarit, i cili insiston se nuk ka dijeni të jenë shkelur rregullat e sigurimit teknik dhe se makineritë ishin montuar nga inxhinierët.

“Për punëtorët mjafton të jenë të specializuar në përdorimin e tyre‘- dëshmon i dyshuari që do të hetohet në gjendje të lirë, pasi sipas Fredi Kalesha, për përdorimin e një makinerie nuk ka rregulla shtesë për sigurimin teknik.

Të njëjtin qëndrim mban gjykata edhe për një tjetër aksident vdekjeprurës, ku pas vdekjes në fushën e ndërtimit të shtetasit Arjan Lazri përfundoi në pranga , 45 vjeçari Agim Keci. Policia në dokumenta e përshkruan vendin e ngjarjes referuar jo vetëm skenës por edhe dokumentave të bllokuara .

“Objekti do të ndërtohej në Ishull Lezhë . Rreth orës 7.30, i ndjeri Lazri është paraqitur në punë ku ishte i punësuar pranë subjektit të drejtuar, nga i arrestuari Agim Keci. Gjatë fillimit të punës , përkatësisht nga kati i katërt  i objektit , ka rënë duke ndërruar jetë‘-deklaron policia.

Si shkelje flagrante policia konstaton në datën 15 prill 2023 , mungesën e litarëve me të cilët i ndjeri duhet të ishte siguruar për punimet në lartësi. “Ndërsa instruktimi teknik në ditët e mëparshme ishte kryer nga i arrestuari , ndonëse ky i fundit nuk ishte i licencuar për një gjë të tillë‘.

Por me kalimin e muajve shkresat tregojnë se pozita e tij lehtësohet dhe Keci fiton një masë më të butë, atë të detyrimit me paraqitje.

“Ekziston një dyshim relativisht i zbehtë, pavarësisht pasojës së rëndë nuk është zbardhur mekanizmi i ngjarjes , përgjegjësia konkrete ligjore dhe faktike e të dyshuarit dhe lidhja shkakësore. Duke qenë hetimet në fazën fillestare të tyre, është e domosdoshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore‘-arsyeton gjykata.

Si “zbuten” dënimet për aksidentet në vendin e punës?

Për policinë mbledhja e provave dhe delegimi i tyre tek organet e akuzës, është pjesa më e rëndësishme e veprimeve hetimore. Zyrtarisht policia  tregon se vetëm për këtë vit janë raportuar 37 aksidente në punë që janë referuar sipas nenit 289 “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ndaj punëdhënësve apo administratorëve  që duhet të mbajnë përgjegjësi jo vetëm civile- administrative , por edhe penale.

“Janë zbuluar 37 raste dhe janë arrestuar 10 persona, ndërkohë që 27 të tjerë janë referuar në gjendje të lirë. Për vitin 2022 për të njëjtën vepër konstatohen 82 raste me të aksidentuar apo të lënduar në detyrë. Si të dyshuar 92 persona , prej të cilëve 25 të arrestuar , 1 i ndaluar dhe 62 referuar në gjendje të lirë”-deklaron Policia e Shtetit.

Por në raportin vjetor mbi kriminalitetin për vitin 2022, rezulton vetëm 16 procedime i janë dorëzuar gjykatës, me 42  persona të akuzuar për krimin e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Prej tyre u shpallën fajtor vetëm 11 persona.

Ledio Milkani, ekspert ligjor për marrëdhëniet e punës e lidh këtë situatë me ngërçin ligjor që ngarkon me përgjegjësi vetëm administratorin.

“Nëse ndodh që jemi para një aksidenti në punë, pavarësisht çdo gjëje, sipas ligjit përgjegjësia penale e personit juridik është vetëm administratori”, sqaron Milkani.

Ai shpjegon se administratorët e kanë të pamundur të mbajnë nën kontroll të gjithë ndërmarrjen, edhe pse pesha në çdo rast bie mbi ta.

“Përgjegjës mund të jenë punonjësit, përgjegjësit, mbikëqyrësit, ose edhe struktura të tjera që nuk kanë zbatuar rregullat apo instruktimet, të cilët nuk kane bërë punën e tyre siç është e parashikuar në ligj dhe në dokumentacionin e brendshëm të kompanive”, sqaron Milkani, i cili shton se ka shumë raste kur këto struktura mund të jenë përgjegjëse për aksidentin, por ligji nuk e pranon dënimin e përfaqësuesve të tjerë vecc administratorit.

“Prandaj, ju ndodh që të shikoni që nuk ka në fund përgjegjësi penale apo dënime, pasi edhe prokurorët apo OPGJ-të e kuptojnë dhe pranojnë me bindje që nuk është administratori përgjegjësi në aspektin praktik, por edhe të tjerët nuk mund ti dënojnë dhe kështu s’ka dënim” -shpjegon Milkani.

I dëmtuar edhe duke ndërtuar godinën e policisë

Dy gra që rezultojnë trashëgimtare  të të ndjerit Ndue Huli , vendosën të mos heshtin kur çështja pushohet nga prokuroria. Ndonëse ka të dhëna se shpesh të afërm të viktimave bien në marrëveshje të fshehtë me subjektin, duket se kjo nuk ka qenë aspak në vullnetin e shtetaseve Roza dhe Flavia Huli. Menjëherë sapo kanë marrë në dorë një vendim për pushim hetimesh nga prokuroria e Shkodrës, dy gratë i janë drejtuar gjykatës së Apelit , e cila ju ka dhënë të drejtë dhe ka shfuqizuar një vendim të gjykatës së shkallës së parë që përkonte me të njëjtin qëndrim si të akuzës.

“Lidhur me pushimin e çështjes nga prokuroria Shkodër e konsiderojmë si një veprim të njëanshëm , dhe pa bërë një hetim të plotë e të gjithanshëm”- shkruajnë në ankimim dy paditëset. Duke analizuar dëshmitë e kolegëve që ishin në detyrë me të ndjerin, të afërmet e tij replikojnë:

“Dëshmitari paska thënë  se Ndue Huli paska rënë nga 180 metra që në fakt duhet të jetë 180 centimetra. Por nuk thotë asnjë fjalë dhe nuk është pyetur nëse viktima ka pasur mjet të sigurimit teknik si kapele muratorësh. Po të kishte pasur kapele  apo mjet të posaçëm për të mbrojtur kokën , në asnjë mënyrë viktima nuk do kishte pësuar dëmtime dhe nuk do kishte ndërruar jetë”.

Aksidenti fatal për të cilin paraqiten kundërshtitë e mësipërme  rezulton  të ketë ndodhur pesë vjet më parë , teksa i ndjeri po punonte për ndërtesën e re të Drejtorisë së Policisë Shkodër. Si shkelje, vërehet se gjykata e shkallës së parë duhet të kishte njoftuar edhe trashëgimtarët e viktimës ( përfaqësuesin e tyre ligjor)  për datën  e re të seancës.

“Në këtë mënyrë, ky subjekt procedurial është gjykuar pa patur dijeni efektive mbi datën e gjykimit”- thotë treshja e gjyqtarëve të apelit. Por eksperti Ledio Milkani, shpjegon se shumë pak familjarë e ndjekin çështjen deri në fund për shkak të mungesës së informacionit, kostove dhe kohës së gjatë për të gjetur drejtësinë.

“Kur dikush e kupton realisht se sa kohë, energji dhe financë do i kërkojë një proces civil dëmi, e mendon dy herë nëse ja vlen apo jo dhe a e përballon dot të investojë me riskun për ta humbur ose për të mos marrë atë që mendon se i takon”, përfundon Milkani./Media Ndërtimi

Infrastrukturë

“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh

Published

on

Ndërtimi i kullës 35 katëshe ‘Hotel Rozafa Tower’ në Shkodër mblodhi në protestë dhjetra qytetarë dhe aktivistë.

Kulla është një investim privat që do të ndërtohet përbri pallatit ekzistues Rozafa, nga “Uldedaj Group”, i zbatuar nga një studio spanjolle.

“Të vendosur përpara një fakti të kryer në një kohë kur për projekte kaq të mëdha duhen dëgjesa publike; të shqetësuar për dëmin urban dhe arkitekturor që kjo kullë paralajmëron ti kanosë Shkodrës; të indinjuar nga mosrespektimi nga ana e institucioneve i të drejtës sonë për qytetin dhe hapësirës që jetojmë vendosëm të marshojmë sot bashkë me ju kundër betonizimit të qytetit për të thënë: Jo kullave!“ – u shpreh aktivisti Amel Pervizi.

Sipas qytetarëve, zhvillimi i qytetit nuk vjen përmes kullave, ndërsa ky investim bie në kundërshtim me planin e përgjithshëm vendor të qytetit.

„Projekti i ri ka jo më pak se 43 mijë metër ndërtim të ri. Intensiteti I ndërtimit nga 4 që është i lejuar në planin e përgjithshëm vendor, shkon në 8.2, pra dyfishohet. Numri I lejuar i kateve nga 7 kate të lejuara shkon në 35, pra pesëfishohet. Lartësia në metra nga 29.8 metra e lejuar shkon deri në 100 metra lartësi. Parametër i cili trefishohet. Sa I përket distancave, kjo godinë me këtë lartësi duhet të mbajë jo më pak se 36 metër distancë nga kufiri i saj i pronës. Gjë që nuk mund ta realizojë dot”,-u shpreh urbanisti Imeldi Sokoli.

Ata theksuan se Shkodra ka nevojë për hapësira dhe investime publike dhe jo shëmbëlltyrë e “kryeqytetit rilindas”.

“Sot ne jemi të thirrur për ti dalë zot qytetit tonë, bukurisë së qytetit tonë, kulturës së qytetit tonë, historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në 11 vite, kjo qeveri nuk solli asnjë investim për Shkodrën. Shkodra ka nevoja të mëdha, Shkodra ka objekte, monumente kulture që po bien brenda. Shkodra nuk ka nevojë për kulla, Shkodra ka nevojë për zhvillim dhe nëse flitet për inovacion, inovacioni nuk është një kullë e ndërtuar dhe e sjellë këtu jashtë të gjitha kritereve dhe jashtë të gjitha ligjeve. Ne nuk duam dhe nuk pranojmë betonizimin e Shkodrës“, -u shpreh Eliona Shkreli, anëtare e këshillit bashkiak Shkodër.

Mes thirrjeve „Stop betonizimit“ dhe “Kullat janë pastrim parash” qytetarët marshuan nga busti i Luigj Gurakuqit drejt godinës së bashkisë Shkodër, ku kërkuan realizimin e dëgjesave publike dhe konsultimeve me grupet e interesit.

“Një nga kompanitë, pjesë e Rozafa Group që do të investojë për kullë, sinjalizohet me shkresë për mos shlyerje të detyrimeve tatimore me vlerën 970 mijë euro. Nëse mbledhim fitime te deklaruara të këtij grupimi nuk arrijnë të shlyejnë as taksën e ndërtimit prej 8% ndaj bashkisë Shkodër, nëse ky investim prej 30 milionë eurosh realizohet. Si thoni ju a është me të vërtetë kjo kompani pas këtij ndërtimi? Zhvillimi duhet bërë duke ndjekur planin urbanistik të qytetit, duke bërë transparencë dhe duke u konsultuar”, – u shpreh Amel Pervizi./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme

Published

on

Çmimet janë rritur me 172% në qytetet më të mëdha të Rusisë gjatë tre viteve të fundit.

Hipotekat dikur ishin të papranueshme në Rusi. Dekada të propagandës sovjetike, e cila e denoncoi kredinë si një barrë të padurueshme, patën efekt.

Edhe pas përfundimit të komunizmit, rusët ende i referoheshin hipotekave si “skllavëri borxhi”, duke preferuar të kursenin derisa të mund të blinin shtëpitë e tyre. Vladimir Putin, presidenti i vendit, ka kaluar dy dekada duke u përpjekur të bindë qytetarët e tij, që të kenë një tjetër pikëpamje.

Në vitin 2003, gjatë mandatit të tij të parë, ai shpjegoi se hipotekat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e “problemit akut të strehimit”, me të cilin përballen rusët. Lutja e tij ra në vesh të shurdhër.

Ai tani duket se ka më shumë sukses. Gjatë viteve të fundit, numri i rusëve që marrin hipoteka është rritur, për shkak të një programi bujar të subvencioneve shtetërore për blerësit e apartamenteve të reja. Por, shpërndarja e subvencioneve të shtetit ka nxitur një treg shumë ‘të nxehtë’ të pronave, duke i rritur çmimet e banesave.

Në vitin 2020, kur Rusia u mbërthye nga Covid-19, zyrtarët rritën ndihmat për ata, që blinin prona të sapondërtuara në një përpjekje për të forcuar ekonominë. Në fillim, bankat u ofruan aplikantëve për hipotekë një normë preferenciale prej rreth 6%, afërsisht dy pikë përqindje nën normën e tregut, dhe shteti paguante diferencën.

Zbritje të ngjashme, të cilat më parë ishin në dispozicion vetëm për familjet, iu ofruan më pas punëtorëve dhe njerëzve, që zhvendoseshin në vende duke përfshirë Arktikun, Siberinë dhe Ukrainën e pushtuar.

Megjithatë, vëllimet e hipotekave nuk filluan të rriteshin vërtet, derisa ekonomia e Rusisë shkoi në gjendje lufte. Bankat lëshuan kredi hipotekore me vlerë 7.7 trilion rubla (88 miliardë dollarë, ose 4% e PBB-së) vitin e kaluar, nga një total prej 4.3 trilionësh në vitin 2020. Shumica u mbështetën nga subvencione.

Kjo pasqyron faktin se rusët nuk kanë mundësi investimi: sanksionet rëndojnë mbi bursën dhe kontrollet e monedhës e bëjnë të vështirë lëvizjen e parave jashtë vendit. Inflacioni, i cili u ngrit përsëri në mesin e vitit 2023, ka luajtur gjithashtu një rol.

Kur Banka Qendrore e Rusisë (CBR) filloi të rriste normat e interesit, interesi për skemën u rrit. Ndërsa CBR ngriti normën e saj bazë në 16%, qeveria e mbajti normën e saj preferenciale të ulët, duke e rritur atë në vetëm 8%. Në qershor kishte një hendek prej më shumë se dhjetë pikë përqindjeje midis normës së qeverisë dhe normës së tregut për një hipotekë.

Në fillim të këtij muaji ajo i dha fund skemës së saj më të njohur, e cila ishte për blerësit e ndërtesave të reja. Numri i hipotekave të reja mund të bjerë me rreth 50% në gjysmën e dytë të vitit.

Industria e ndërtimit të Rusisë do të vuajë si rezultat. Kështu do të bëjnë bankat, të cilat kanë gëzuar fitime rekord të nxitura nga rritja e shpejtë e portofolit të hipotekave. Për momentin, megjithatë, tregu i banesave duket se do të arrijë të shmangë një kolaps.

Vasily Astrov i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thotë se “ngadalësimi dhe ndoshta stanjacioni” ka më shumë gjasa sesa një rënie e madhe e çmimeve.

Ekonomia e luftës e Rusisë, e cila ka parë rritje të shpejtë të pagave këtë vit, mund të jetë ende në gjendje të mbajë një treg të fortë pronash, edhe kundrejt normave më të larta dhe mbështetjes së pakësuar të shtetit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri

Published

on

Fabrika e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz iu dha me koncesion për 30 vite një kompanie turke. Ishte viti 2001 kur shteti shqiptar firmosi marrëveshjen koncesionare. Shumë shpejt në lojë hynë edhe partnerët kinezë. Periudha e artë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën u ndërpre rreth viteve 80-të, për t’u rivendosur sërish me ardhjen e demokracisë.

Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, ata morën nën zotërim pjesën më të madhe të rezervave shqiptare të bakrit, të cilat kaluan në pronësi të gjigantit botëror të minierave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”, shkruan citizens.al.

Ata blenë 48% të aksioneve të kompanisë “BerAlb” e cila zotëronte për 30 vite koncesionin e bakrit në vendin tonë, duke përfituar të drejtën për të administruar dhe shfrytëzuar minierën e bakrit Munellë, minierën e bakrit Lak-Rosh, minierën e bakrit Karmë, fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz dhe të Mjedës si dhe impiantin e fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjin.

Me një kapital fillestar prej vetëm 30 mijë USD ose 47 Milionë lekë, kjo kompani e ka zgjeruar kapitalin e saj çdo vit, ndërsa aktualisht deklaron një kapital prej 7.7 miliardë lekësh.

Pavarësisht rritjes së kapitalit, kompania deklaron se del vazhdimisht me humbje.

Megjithëse deklaron bilance negative, në vitin 2017 kompania nënshkroi një tjetër marrëveshje me shtetin shqiptar duke e shtyrë koncesionin edhe me 10 vite . Pra koncesioni i bakrit dhënë Turqisë dhe Kinës do të jetë në fuqi deri në vitin 2043. Ekspertët sugjerojnë se zgjatja e afatit duhet të ishte ballafaquar me performancën ekonomike, rritjen e niveli të mirëqënies së zonës si dhe ruajtjen e mjedisit./Meda Ndërtimi

Continue Reading

Trending