Connect with us

Infrastrukturë

Aksi Thumanë-Kashar e kategorisë A, hapet për qarkullim pasditen e 30 qershorit

Published

on

Në aksin rrugor Thumanë-Kashar, pjesë e Korridorit Blu, pothuajse kanë përfunduar plotësisht punimet. Kanë mbetur detajet e fundit të kësaj vepre, e cila do të hapet për qarkullimin e automjeteve duke nisur nga pasditja e datës 30 qershor.  Krahas aksit kryesor po punohet gjithashtu edhe për detajet e fundit për të përmbyllur edhe rrugët dytësore, të cilat do të jenë pa pagesë për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli inspektuan nga afër punimet e fundit që po realizohen në nyjen e Kasharit.“Punimet kanë përfunduar pothuajse totalisht në të gjithë segmentin. Vetëm nyja e Kasharit është për tu kompletuar me vijëzimet dhe disa elementë të vogla të sigurisë. Ndërsa nyja e Rinasit është totalisht e përfunduar gati për tu aksesuar në datën 30 qershor”, njoftoi Gjyli.

Thumanë-Kashar është i aks i kategorisë A, ku shpejtësia e lëvizjes do të jetë 130 kilometra në orë, duke ofruar gjithashtu kushte të larta sigurie. Hapja e këtij aksi për qarkullimin e automjeteve do të lehtësojë ndjeshëm fluksin e trafikut.

“Të gjithë drejtuesit e automjeteve do të kenë të drejtë të zgjedhin rrugët e shpejtësisë mbi 130 kilometra në orë me pagesë apo rrugët dytësore të cilat do të jenë të disponueshme pa asnjë lloj pagese. Në ndërkohë duhet thënë që jemi në proces negocimi të kontratave të tjera, disa prej tyre janë drejt lidhjes dhe menjëherë ashtu siç ky kantier eci me një shpejtësi të jashtëzakonshme, duhet të themi që ky është një nga kantieret të dorëzuara në kohë rekord, pavarësisht gjithë problematikës që kemi pasur me shpronësimet. 1 vit e 3 muaj dhe është bërë një punë e shkëlqyer si nga konçesionari, ashtu edhe nga ARRSH-ja edhe nga Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve në një bashkëpunim të plotë të mbikëqyrur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për të qenë gati sot për të dorëzuar këtë vepër vetëm në 15 muaj në total dhe kështu shpresojmë që të shkojmë dhe me lotet e tjera”, tha Balluku.

Ajo tha gjithashtu se të gjitha segmentet e Korridori Blu do të jenë me pagesë, pasi do të jenë akse të shpejtësisë së lartë, por në dispozicion të qytetarëve do të jenë edhe rrugët dytësore të cilat do të jenë pa pagesë.  “Me këtë autostradë të parë të kategorisë A dhe pas pak ditësh me hapjen e tunelit të Llogarasë ne do të fillojmë që të dorëzojmë infrastrukturat e para të cilat nuk kanë asgjë për të qenë ndryshe nga ato të Bashkimit Europian”, u shpreh ajo. Balluku bëri të ditur se pasditen e 30 qershorit Thumanë-Kashar do të hapet plotësisht për qarkullimin e automjeteve./Media Ndërtimi

Infrastrukturë

Vërshimet: Komunat kërkojnë fond emergjent, Qeveria e Kosovës hesht

Published

on

Viteve të fundit komunat e Kosovës po përballen me vërshime të shumta. Në mungesë të kompetencave dhe mjeteve financiare, ato nuk po mund të iu dalin në ndihmë qytetarëve të prekur nga reshjet e mëdha atmosferike.

Për këtë arsyeje ato po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës krijimin e një fondi emergjent, i cili do të menaxhohej nga institucionet lokale.

Vërshimet e fundit në Komunën e Dragashit e kanë bërë me urgjent krijimin një fondit të tillë, shkruan Nacionale.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë me dije se krijimi i këtij fondi është bërë nevojë.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se kjo është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të vendos për këtë çështje.

“Po shihet se për çdo vit nëpër komunat tona po kemi vërshime nga të reshurat atmosferike dhe si pasojë po kemi dëme të materiale. Edhe këtë herë kukojmë që komunave t’iu mundësohet planifikimi buxhetor, të kenë një vijë buxhetore për raste të tilla buxhetore emergjente. Pra, Qeveria duhet t’i mundësoj komunave krijimin e fondit emergjent komunal”, ka thënë Ibrahimi.

Në këtë mënyrë, sipas tij, komuna më shpejt do të mund të përgjigjeshin në nevojat e qytetarëve të prekur nga vërshimet.

“Në bazë të legjislacionit në fuqi, komunat nuk kanë shumë kompetenca sa i përket përkrahjes së qytetarëve të prekur nga vërshimet përveç t’i aktivizojnë komisionet të cilët bëjnë vlerësimin e dëmeve. Komunat sa herë ka qenë e nevojshme i kanë aktivizuar këto komisione të cilat e bëjnë evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet. Pas evidentimit të dëmeve dhe marjes së vendimeve në kuvendet komunale atëherë këto lista barten në nivel qendror e cila për shkak të procedurave burokratike dhe të stërzgjatura, po vonon shumë në kompenzimin e dëmeve dhe përkrahja e shtetit po është shumë e vonshme”, ka thënë ai.

Ibrahimi e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të reflektojë në këtë drejtim.

“Për këtë arsye, është koha e fundit që Qeveria duhet të iu mundësoj komunave themelimin e një vije buxhetore për emergjenca komunale sepse komunat menjëherë pas situatave të tilla mund t’i ndihmojnë qytetarët e tyre”, ka thënë Ibrahimi.

Komunat e Kosovës një kërkesë të tillë e kishin bërë edhe vitin e kaluar.

Pa vërshimeve në Komunën e Skenderajt dhe disa komuna tjera, në janar të vitit 2023, Asociacioni i Komunave të Kosovës kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ngre një fond të tillë.

Qëllimi i komunave është që qeveria ta krijon një fond emergjent në shërbim të komunave, i cili do të menaxhohej nga institucionet lokale.

Qeveria e Kosovës ka injoruar një kërkesë të tillë.

Kanë kaluar më shumë se një vit nga kërkesa e Asociacionit të Komunave të Kosovës, por Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë veprim në këtë drejtim./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Ministria e Kulturës ndanë 500,000 euro për restaurim të plotë të Shtëpisë së Xhafer Devës

Published

on

“Ish-Ambullanta e vjetër – Shtëpia e Xhafer Devës” është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, si monument i arkitekturës së ndërtuar gjatë viteve 1930. Nga zjarrvënia e parë në vitin 2015, e dyta në vitin 2018, ky monument është lënë në gjendje shumë të keqe fizike, në mëshirë të kohës.

Ministria e Kulturës ka përfshirë këtë monument në programin e investimeve restauruese, me qëllim të mënjanimit të rrezikut të mëtejmë për shkatërrim, restaurimin e ndërtesës dhe rifunksionalizimin e saj në shërbim publik për komunitetin.

Projekti i restaurimit të ndërtesës është hartuar nga ekipi i profesionistëve të organizatës jo-qeveritare, Trashëgimia Kulturore pa Kufij, dhe është pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve (Nr. 41/2021, data 07.10.2021)

Projekti i restaurimit është hartuar në përputhje me standardet dhe parimet ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, ku krahas rehabilitimit të strukturës së ndërtesës, është marrë parasysh trajtimi i vlerave estetike, me qëllim të rikthimit të pamjes fillestare të saj. Hartimi i projektit gjithashtu ka marrë parasysh transformimet e shumta që janë bërë në ndërtesë gjatë kohës, sikurse hapja dhe mbyllja e dritareve, të cilat nuk kanë ekzistuar në gjendjen fillestare të ndërtesës.

Bazuar në shtresat e ngjyrave në përdhesë, në fotografitë e vjetra të ndërtesës, dhe në analogjinë me ndërtesa të stilit të ngjashëm të ndërtuar gjatë periudhës së njëjtë në Kosovë, kjo ndërtesë është ndërtuar me tulla të argjilës së pjekur, të mbuluar me suva, si material që mbron strukturën e murit të ndërtuar me tulla.

Gjendja e ndërtesës para fillimit të restaurimit, ka qenë si rezultat i zjarreve të shkaktuara, dhe i ndërhyrjeve restauruese të filluara në vitin 2018, e të papërfunduara, ku janë shfaqur muret e zhveshur nga suvaja, të ekspozuar ndaj ndikimeve atmosferike.

Ministria e Kulturës ka ndarë buxhet në vlerë rreth 500,000 euro për restaurim të plotë të monumentit. Ndërhyrjet restauruese po zhvillohen nga kompania e licencuar për fushën e trashëgimisë kulturore, në përputhje me rregullativën ligjore, duke siguruar kështu që punimet të zhvillohen nga mjeshtër e profesionistë të licencuar, nën mbikëqyrjen e stafit profesional të institucioneve tona.

Përzgjedhja e ngjyrës së fasadës, është bërë në bashkëpunim me hartuesit e projektit nga OJQ CHwB dhe përgjegjësit e QRTK Mitrovicë në cilësinë e organit mbikëqyrës, duke u bazuar në fotografitë e vjetra dhe analogjinë me ngjyrën e cila është përdorur në ndërtesat me po atë stil të ndërtimit gjatë periudhës së njëjtë të viteve 1930.

Jemi siguruar që punimet të zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar, duke siguruar kështu edhe cilësi, e në veçanti trajtimi i elementeve dekorative të fasadave, është punuar në mënyrë tradicionale, duke ruajtur origjinalitetin e tyre./Media Ndërtim

Continue Reading

Infrastrukturë

Gati 40 për qind e banesave në Shqipëri janë bosh

Published

on

Censi 2023 numëroi 1.082.529 banesa të zakonshme me 2023. Shtëpitë individuale përfaqësonin 47,0 për qind të këtyre banesave, ndërsa 39,9 për qind e tyre janë pallate.

Një kategori e vogël e banesave janë banesa pjesërisht të veçuara (8,1 për qind) dhe shtëpi në rend tarracor (5,0 për qind).

Nga numri gjithsej i banesave të zakonshme, në momentin e censit rezultuan 726.325 (67,1 për qind) banesa të banuara, duke vlerësuar 32,9 për qind banesave zakonshme të pabanuara.

Shkalla e banesave të zakonshme të pabanuara varionte nga 24,3 për qind për banesat pjesërisht të veçuara në 39,4 për qind për banesat në pallate, shtëpitë individuale dhe ato në rend tarracor ishin përkatësisht secila 29,2 dhe 29,8 përqind.

Sipërfaqja e përdorur për banim përfshin hapësirën e dobishme, duke përjashtuar korridoret, tualetet, holle/paradhoma, ballkone dhe dhoma shërbimi.  Banesat e zakonshme të banuara përfshijnë 755.531 njësi ekonomike familjare dhe 2.384.418 popullsi vendbanuese.

Përafërsisht në përqindje të barabarta, banesat e zakonshme ishin ndërtuar në periudhën që nga viti 2001 (36,4 për qind), dhe në periudhën 20 vjeçare 1981-2000 (37,5 për qind), ndërkaq rreth një e katërta (26,1 për qind) ishin ndërtuar para vitit 1981.

Rreth një e katërta (26,1 për qind) e banesave të zakonshme janë ndërtuar para vitit 1981 dhe përafërsisht në përqindje të barabarta, në periudha 20 vjeçare, 1981-2000 ishin ndërtuar 37,5 për qind, dhe që prej vitit 2001 e në vijim janë ndërtuar 36,4 për qind.

Për banesat e zakonshme të banuara, sipërfaqja e përdorur ishte një ndër informacionet e mbledhura e cila do të shërbejë për të analizuar “mbipopullimin e banesave”12.

Pothuajse gjysma e këtyre banesave (47,1 për qind) kishte një sipërfaqe të përdorur prej 40-69 m2 dhe rreth një e katërta (23,7 për qind) kishin një hapësirë të dobishme prej 70-99 m2.

Censi vlerësoi se 86,4 për qind e banesave të zakonshme të banuara kishin ujë të rrjedhshëm në banesë ose në ndërtesë. Pothuajse të gjitha banesat e zakonshme të banuara (96,2 për qind) kishin tualet brenda banesës ose brenda ndërtesës.

Një përqindje e vogël (më pak se 0.1 për qind) të banesave të numëruara në Cens ishin banesa jo të zakonshme. Në këto njësi të tjera banimi jetonin rreth 400 NjEF dhe 1,4 mijë vendbanues të zakonshëm. Një përqindje e vogël (më pak se 0,1 për qind) të banesave të numëruara në Cens ishin banesa jo të zakonshme. Në këto njësi të tjera banimi jetonin rreth 400 NjEF dhe 1,4 mijë vendbanues të zakonshëm./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending