Kreu i Agjencia Kosovare e Privatizimit, Avni J. Jashari, i ka iniciuar procedurat për përcaktimin e kufirit kadastral në mes të parcelës së NPB-së dhe një parcele të administruar nga AKP-ja përkundër faktit se kjo çështje po hetohet nga Prokuroria Speciale për shkak të pretendimeve të bazuara për keqpërdorime dhe shkelje ligjore.
Intervistimi nga hetuesia i disa zyrtarëve të AKP-së nuk i ka bërë përshtypje kreut të AKP-së, për ta pritur epilogun e hetimeve, por i ka iniciuar procedurat për ndryshimin e gjendjes ekzistuese kadastrale në terren dhe krijimin e një situate krejtësisht të re.
Për këtë qëllim, më 14 dhjetor 2021, në zyret e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Jashari ka mbajtur një takim të fshehtë për publikun me kërkesë të kryeshefit të Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë (NPB), Hajdar Hoxha për ta shtyrë përpara këtë çështje problematike ligjore që lidhet drejtpërdrejt me projektin e dyshimtë multi-milionësh afaristo banesor të NPB-së në Lakrishtë, ndaj të cilit rëndojnë akuza serioze për dhjetëra shkelje ligjore e procedurale dhe që po zhvillohet një hetim i gjerë.
Përkundër faktit se kjo çështje është me interes të madh publik, dy bartësit e funksioneve publike janë dakorduar dhe kanë marr vendime në kushte të jotransparencës dhe pa njoftim të medieve.
Sipas burimeve të sigurta brenda NPB-së, kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Hajdar Hoxhaj, në takim me z. Jashari ka insistuar të marr pëlqimin për përcaktimin e kësaj mexhe, të cilin pëlqim nuk kishte arritur ta merrte prej kohësh për shkak të shumë parregullsive dhe mungesës së dokumentacionit të plotë kadastral që do ta dëshmonte sipërfaqen faktike të NPB-së në Lakrishtë.
Sipas këtyre burimeve, për ta shtyrë përpara këtë çështje, Jashari e Hoxhaj, janë dakorduar që NPB-ja ta sillte një propozim të ri.
Propozimi me kufijtë e ri kadastral është hartuar me procedurë të shpejtuar dhe është dorëzuar nga z, Hoxhaj, vetëm tri ditë pas takimit, më 17 dhjetor. Për përcaktimin e kufirit të ri, në terren nuk ka marr pjesë asnjë përfaqësues i autorizuar i AKP-së si palë në këtë çështje.
Pasi ka pranuar këtë propozim, kreu i AKP-së, Avni J. Jashari, është interesuar që institucioni që drejton ta procedoj lëndën tutje, përkundër faktit se lënda nuk është e kompletuar dhe ka probleme të padefinuara pronësore teksa po hetohet për shkelje ligjore nga Prokuroria Speciale në kuadër të hetimit të përgjithshëm rreth projektit afaristo-banesor.
Lënda është miratuar në parim nga AKP-ja, në prag të Vitit të Ri dhe pret nënshkrimin e drejtorit.
Lidhur me këtë çështje kanë qenë të mbyllur dhe nuk janë deklaruar fare as Jashari e as Hoxhaj, që prej datës 22 dhjetor kur kanë pranuar pyetjet përmes e-mailit zyrtar.
Lidhur me këtë çështje përmes emaileve zyrtarë kam vënë në dijeni Bordin e AKP-së, Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Zyrën e Kuvendit të Kosovës që mbikëqyrë punën e AKP-së, Kryeministrinë dhe organet e drejtësisë.
Historiku i çështjes
Muaj më parë vendimi për përcaktimin e kufirit kadastral në mes të parcelës së NPB-së dhe një parcele të administruar nga AKP-ja ishte nxjerr kundërligjshëm nga Kadastri i Komunës së Prishtinës, pa pëlqimin e AKP-së.
Vendimi ishte miratuar nga Komuna përkundër faktit se NPB-ja kishte kontraktuar një teknik gjeodet me shkollim të mesëm, i cili kundërligjshëm dhe jashtë kompetencave të tij kishte përcaktuar kufirin duke kryer punën e gjeodetit të licencuar.
Për këto shkelje banorët e Lakrishtës e kishin njoftuar ministrin e mjedisit, Liburn Aliu i cili më pas i kishte kërkuar Agjencia Kadastrale t`i hetonte këto pretendime.
Shkeljet janë vërtetuar dhe Drejtoria e Kadastrit në fund të qeverisjes së Shpend A. Ahmeti ishte detyruar ta anulonte vendimin që kishte nxjerr vetë dhe ta kthente gjendjen e mëparshme kadastrale.
Askush nuk ka dhënë përgjegjësi penale por as morale për këtë çështje.
Nuk ka pasur dorëheqje e as shkarkim.
Ekzistojnë dyshime të bazuara se në këtë projekt multi-milonësh janë të përfshirë një rrjet i tërë institucional dhe jo vetëm.
Prokuroria Speciale do ta thotë fjalën e saj.
Në shkrimet e radhës:
Si është e mundur të iniciohet procedura dhe të insistohet për caktimin e dhunshëm të mexhës me fqinjin kur NPB-ja nuk po arrin ta dëshmojë pronën e saj në Lakrishtë dhe sipërfaqja e saj është në shpërputhje me fletën poseduese?
*Artikull i shkruar nga gazetari Arsim Halili./Media Ndërtimi.