Shumë të rinj në Kosovë, përgjatë viteve, janë aftësuar në profesione të ndryshme në Agjencinë e Punësimit – institucioni kryesor në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional.
Përmes shtatë qendrave të saj nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, kjo agjenci ofron trajnime për mbi 30 profile të profesioneve të ndryshme, përfshirë: moler, murator, suvatues, kuzhinier, furrtar, pastaj për saldim, administrim biznesi, floktari e të tjera.
Por, shumë të rinj që aftësohen në këto qendra, largohen nga Kosova, për t’u punësuar jashtë vendit.
Udhëheqës të këtyre qendrave kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se shumë prej tyre synojnë tregun e Bashkimit Evropian.
Trendi i emigrimit të qytetarëve kosovarë, sipas shifrave zyrtare, është në rritje.
Sipas ASK-së, në vitin 2021 nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë. Në vitin 2020 – kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit – nga Kosova kanë emigruar mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000; më 2018 mbi 28.000.
Arsyet e emigrimit kanë qenë të ndryshme – në mesin e tyre edhe punësimi.
Mungesa e punëtorëve ka detyruar, pastaj, disa biznese në Kosovë që të kërkojnë punëtorë prej jashtë vendit.
Në tetor të vitit të kaluar, Radio Evropa e Lirë ka raportuar për kompaninë ‘Viprint’ nga Mitrovica, e cila ka punësuar punëtorë nga Bullgaria, Turqia dhe India, për të ofruar shërbime të shtypshkrimit.
Paga minimale në Kosovë sillet nga 130 deri në 170 euro. Sipas një studimi të bërë në vitin 2022 nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, me këtë shumë paguhen rreth 105 mijë punonjës.
Ata kryesisht punojnë në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, në industrinë përpunuese, në gastronomi, në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, në ndërtimtari etj.
Kuvendi i Kosovës, më 14 qershor të vitit të kaluar, ka votuar në parim një projektligj, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht, në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.
Ky projektligj nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Agjencisë evropiane të Statistikave – Eurostat, Kosova është vendi me pagën më të ulët minimale në Evropë.
Paga mesatare në Kosovë në vitin 2021 ka qenë 484 euro.
Në fillim të shkurtit të këtij viti, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për pagat, i cili u ka sjellë rritje gati të gjithë punonjësve të sektorit publik. Autoritetet kanë thënë se me këtë ligj, paga mesatare do të arrijë deri në 730 euro./Media Ndërtimi
https://www.evropaelire.org/a/largimi-i-punetoreve-nga-kosova-/32116279.html#player-set-time=120.419346