Connect with us

Transport

Aeroplanët nga Kosova së shpejti do të fluturojnë përmes Shqipërisë, duke e shkurtuar kohën e udhëtimeve

Published

on

Koha e fluturimit me aeroplan nga Kosova drejt shteteve të Bashkimit Evropian (BE) dhe anasjelltas, do të shkurtohet, në rast të hapjes së korridorit ajror me Shqipërinë. Me shkurtimin e kohës – deri në 30 minuta për vajtje-ardhje – do të zvogëlohet edhe çmimi i biletave.

Albion Idrizi, ndërmarrës në fushën e udhëtimeve dhe turizmit në Kroaci dhe Kosovë, thotë se aktualisht çmimi mestar i një bilete njëdrejtimëshe nga vendi ynë për në të gjitha vendet e BE-së është 140 euro. Me shkurtimin e fluturimit, ky çmim mund të bjerë deri në 6 për qind apo 8 euro.

Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës realizohen vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020. Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër, por nuk është zbatuar kurrë.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR).

Bujar Ejupi, drejtor i përgjithshëm i AAC-së, thotë se KFOR-i, këtë muaj, e ka dhënë lejen për shfrytëzimin e pikave Kukad dhe Arbër, dhe se ato pritet të lëshohen në shfrytëzim “së shpejti”.

KFOR-i, i cili është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se “ka miratuar mundësinë e hapjes së korridoreve ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, por nuk jep shumë detaje.

“Pikat Kukad dhe Arbër janë në territorin shqiptar, kështu që institucionet e aviacionit të atij vendi janë autoritetet përgjegjëse për planifikimin dhe menaxhimin e asaj hapësire ajrore”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

REL-i pyeti Agjencinë Nacionale të Trafikut Ajror të Shqipërisë (Albcontrol) se cilat janë arsyet e mosplanifikimit të fluturimeve përmes Kukadit dhe Arbërit deri më tash dhe kur saktësisht pritet të lëshohen në shfrytëzim këto dy pika, por nuk mori përgjigje.

Me të njëjtat pyetje, REL-i iu drejtua edhe Organizatës Evropiane për Sigurinë e Navigacionit (Eurocontrol), e cila në përgjigje tha se, “përgjegjësia për krijimin dhe shpalljen e pikave të navigacionit i takon shtetit përkatës [v.j. në këtë rast Shqipërisë] dhe jo Eurocontrolit”.

Ejupi pret që dy pikat koordinuese, Kukad dhe Arbër, të shenjëzohen shpejt në hartat e Eurocontrolit, por nuk jep ndonjë datë të saktë. Pas finalizimit të kësaj procedure, ai beson se të gjitha kompanitë ajrore që operojnë në tregun e Kosovës, do t’i shfrytëzojnë këto dy pika.

Përfitimet nga korridoret e reja ajrore

Remzi Ejupi, themelues i kompanisë ajrore Eurokoha, e cilëson si “jashtëzakonisht të rëndësishëm” korridorin ajror me Shqipërinë.

Ngjashëm sikurse Idrizi, edhe ai thotë se koha e fluturimeve drejt vendeve të BE-së do të shkurtohej për së paku gjysmë ore.

“Të shkurtohet rruga për këto minuta, zvogëlohen [edhe] shpenzimet për karburante dhe kjo automatikisht ul çmimin e biletave”, thotë Ejupi.

Vitin e kaluar, për dhe nga ANP “Adem Jashari” kanë udhëtuar rreth tre milionë qytetarë me 21,842 fluturime. Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë destinacionet më të shpeshta.

Idrizi thotë se korridori ajror me Shqipërinë do ta bëjë Aeroportin e Prishtinës “më konkurrent në rajon” dhe “më joshës për kompanitë ajrore”, për shkak të kostos më të ulët të operimit. Ai thotë se Kosova duhet të hapë korridor ajror edhe me Malin e Zi, për shkak të pozitës gjeografike që ka ky shtet.

“Korridori me Malin e Zi është edhe më i rëndësishëm se me Shqipërinë, pasi që ky shtet kufizohet me pjesën veriperëndimore të Kosovës – pra, në drejtim të Gjermanisë dhe Zvicrës, që janë destinacionet me të cilat kemi më së shumti trafik ajror. Shkurtimi për çdo fluturim do të ishte 20 minuta në një drejtim”, thotë Idrizi.

Drejtori i AAC-së thotë se bisedimet me Malin e Zi për këtë çështje janë në zhvillim e sipër, por se “ende nuk ka diçka konkrete”.

Korridori ajror me Serbinë – vend tjetër me të cilin kufizohet Kosova – është pezulluar qysh pas luftës, pra më 1999.

Edhe pse ka pasur paralajmërime se në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të bisedohet për hapjen e këtij korridori, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Ndryshe nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, hapësira e lartë – ajo mbi 6,200 metra, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014 – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999./Media Ndërtimi

Transport

Vendkalimi i përkohshëm kufitar detar në Ulqin do të fillojë të funksionojë më 1 korrik

Published

on

Pika kufitare detare në Ulqin do të fillojë të funksionojë më 1 korrik dhe do të jetë e hapur deri më 30 shtator, ka bërë të ditur kryetari i komunës më jugore të Malit të Zi, Omer Bajraktari.

“Lajm i mirë për turizmin detar në Ulqin. Kemi kënaqësinë t’ju informojmë se më në fund pas shumë përpjekjesh është miratuar vendimi për pikën kufitare për qarkullimin ndërkombëtar të pasagjerëve detar. Kjo do të thotë se anijet ndërkombëtare të pasagjerëve do të mund të regjistrohen në Ulqin si pikë kufitare detare. Kjo është shumë e rëndësishme sepse deri më tani kjo procedurë kryhej në qytetet fqinje”, njoftoi Bajraktari dhe theksoi se kjo nuk do të ishte e mundur pa bashkëpunimin e vetëqeverisjes lokale dhe qeverisë në nivel shtetëror.

Falënderime të veçanta i detyrojmë kryeministrit Dritan Abazoviq, si dhe ministrit të Punëve të Brendshme Filip Axhiq”, tha Bajraktari.

Vendkalimi kufitar do të fillojë të funksionojë nga 1 korriku deri më 30 shtator./Media Ndërtimi

Continue Reading

Transport

Lejohet shërbimi i taksive nga Aeroporti i Tiranës pa kufizime

Published

on

Komisioni i Konkurrencës ka urdhëruar kompaninë koncesionare të Aeroportit të Tiranës të lejojë qasjen pa kushte për të gjithë ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin taksi nga dhe drejt këtij aeroporti.

Në mbledhjen e ditës së sotme, Komisioni i Konkurrencës mori në shqyrtim rastin në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt aeroportit ndërkombëtar të Tiranës.

Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit të tregut të shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, u konstatua se, në zonën e jashtme të mbërritjeve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, nëpërmjet një tabele sinjalistike nuk lejohet aksesi që subjekte të tjera të licensuara të ofrojnë shërbimin e taksive për udhëtarë nga aeroporti drejt Tiranës. Ky akses lejohet vetëm për taksitë e ndërmarrjes Auto Holiday Albania.

Bazuar në nenin 44 të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës, referuar sjelljes së ndërmarrjes Tirana International Airport në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Komisioni i Konkurrencës vlerësoi ekzistencën e një rasti urgjence, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi marrjen e masës së përkohshme ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport. Komisioni urdhëroi lejimin e aksesit pa kushte për të gjithë ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin taksi nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, si edhe heqjen e tabelës me shkrimin “Ndalohet taksi pa pasagjerë”, e cila ndalon dhënien e këtij shërbimi.

Në rast të moszbatimit të vendimit për masën e përkohshme, ndërmarrja Tirana International Airport do të ndëshkohet me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.

Më herët, me vendimin e datës 11 maj, Komisioni i Konkurrencës pati vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, mbështetur në të njëjtën problematikë.

Tirana International Airport është kompania që operon me koncesion aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, që prej vitit 2004. Në vitin 2020, kompania koncesionare u ble nga grupi shqiptar i biznesit Kastrati Group, për 71 milionë euro. Vitin e kaluar pronësia u transferua me një kontratë shitjeje prej 45 milionë eurosh tek Kastrati Aviation Holding, kompani me të njëjtin pronar si Kastrati Group.

Ky koncesion dhe ndërmarrjet e tjera që ofrojnë shërbime të lidhura me të kanë qenë disa herë objekt i hetimeve të Autoritetit të Konkurrencës. Vitin e kaluar, Autoriteti i Konkurrencës mbylli procedurën e hetimit të thelluar në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të aeroportit “Nënë Tereza” dhe gjobiti ndërmarrjen Star Parking Albania në vlerën e 1% të xhiros vjetore ose rreth 1.6 milionë lekë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Transport

Rriten me 8 % hyrje-daljet e udhëtarëve nëpërmjet Portit të Durrësit

Published

on

Transporti i udhëtarëve nga Porti i Durrësit drejt porteve italiane dhe anasjelltas ka ruajtur trend rritës gjatë katër muajve të parë të këtij viti.

Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, tragetet e linjave Durrës-Bari/Ankona-Durrës kanë realizuar 291 lundrime, duke transportuar 152, 377 pasagjerë, prej të cilëve 93,425 shqiptarë dhe 45,670 të huaj.

Të njëjtat burime konfirmojnë se, vetëm gjatë muajit prill 2023, në pikën kufitare të Portit të Durrësit kanë hyrë dhe dalë 42,416 pasagjerë dhe 16, 008 vetura, trailer e kamionë. Ky numër reflekton një rritje me 3,287 pasagjerë më shumë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më pare, pra prill 2022.

Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me të gjitha instancat, të cilat operojnë në portin më të madh në vend, janë duke planifikuar dhe masat e nevojshme për sezonin turistik veror, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së operacioneve në nisje të këtij sezoni, të fokusuara kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve që ofrohen nga subjektet private në sektorin e udhëtarëve./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending