Aktuale
A po shtohen kriteret për liberalizimin e vizave?
Published
4 years agoon
Kosova po largohet edhe më shumë nga procesi i liberalizimit të vizave, pas hezitimit të disa shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës lidhur me këtë çështje, e të cilat po thirren në mungesë të luftës kundër korrupsionit në nivel të lartë, tha për Radion Evropa e Lirë, Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës.
“Problemi kryesor qëndron në plotësimin e kritereve, që formalisht janë plotësuar. Por, me gjasë shtetet e caktuara kanë informacione më të sakta dhe më të thukëta për plotësimin e këtyre kritereve. Përtej kësaj, mendoj se kjo ka edhe pak konotacion politik dhe me gjasë po shikohet që të ndërlidhet edhe me proceset tjera të integrimit dhe dialogut me Serbinë”, vlerëson Lushaku- Sadriu.
Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, para deputetëve të Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën, nuk pengohet shumë nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, por nga shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pasi sipas tij, ato nuk janë të kënaqura me luftën që ka bërë Kosova kundër krimit dhe korrupsionit.
“Problem pak më të madh duket se ka Ministria e Punëve të Brendshme e Francës dhe ministri i Punëve të Brendshme [i Kosovës], Xhelal Sveçla, i ka nisur kontaktet me MPB-në në Francë për të dëshmuar që ka seriozitet në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Bislimi.
Lushaku-Sadriu: Ky proces është duke hyrë në fazë kritike
Për aq kohë sa shtyhet dhe prolongohet procesi i liberalizimit dhe nuk vihet në agjendën e Këshillit të ministrave, ky proces po hynë në fazë kritike të shtyrjes për një kohë të pacaktuar, tha Lushaku-Sadriu. Ajo shtoi se Kosova duhet të angazhohet që ky proces të mos ndërlidhet me dialogun Kosovë-Serbi.
“Kjo është një nga karotat që Bashkimi Evropian edhe mund të përdorë politikisht për të kushtëzuar Kosovën në faza të tjera”, tha ajo.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në, pavarësisht përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga blloku evropian.
Në Këshillin e Bashkimit Evropian kanë thënë se shumica e vendeve anëtare pajtohen me vlerësimin e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.
Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, në një letër dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për të uruar për detyrën, ka thënë se do të avokohet për një vendim pozitiv të BE-së rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.
Qytetarët, skeptikë në realizimin e procesit të liberalizimit të vizave
Qytetarë të anketuar në Prishtinë, shprehen skeptikë rreth mundësisë së liberalizimit të vizave. Naser Pllana, ekonomist me profesion, përmend disa nga arsyet, që sipas tij, kanë penguar këtë proces. Disa nga arsyet që ai përmend janë situata politike me Serbinë dhe mospërmbushja e kritereve të kërkuara nga Komisioni Evropian, siç është lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
“Kosova nuk e ka plotësuar plotësisht atë kriter, si element kryesor për ne. Atëherë, kur plotësohet ky kriter, nuk na duhen shumë vizat sepse do ta kemi Kosovën më mirë se gjithkund”, thekson ai.
Por, Altin Azizi absolvent në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, konsideron se pa përmbylljen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, që realizohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk do ketë liberalizim të vizave.
“Mandej ka të bëjë edhe me pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën. Dhe normalisht që çdo shtet në BE duhet të kalojë në kuvend procesin e liberalizimit të vizave për një shtet të ri”, shprehet ai.
Blerina Selimin, studente në një kolegj privat, shprehet skeptike për pritjet që së shpejti qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë në zonën Shengen. Ajo thotë se angazhim për këtë çështje nuk po vëren as nga Qeveria e re e Kosovës.
“Që shumë vite është përmendur se ky proces po realizohet dhe nuk ka ndodhur. Kështu që nuk shpresoj më. Mosliberalizimi ka ndihmuar shumë te të rinjtë, të cilët kanë pasur dëshirë që të studiojnë në shtetet e BE-së”, tha ajo.
Në seancën plenare të Parlamentit Evropian, që është mbajtur në mars, janë miratuar raportet për katër shtete të Ballkanit Perëndimor. Raporti për Kosovën në pjesën më të madhe flet për problemet me të cilat përballet Kosova, nga nevoja për një reformë të sistemit zgjedhor, mungesa e transparencës në pronësinë e mediave, sfidat në ruajtjen e mjedisit, nevojën për depolitizimin e administratës publike dhe reformën e gjyqësorit.
Nga Kosova po ashtu kërkohet që të bëjë më shumë edhe në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu bëhet ftesë për një angazhim më të madh të autoriteteve të Kosovës edhe në komunikim me shoqërinë civile. Nga Kosova, sikur edhe nga Serbia, kërkohet përkushtim dhe qasje konstruktive edhe në dialog shkruan GazetaExpress.
Share Now
You may like
Aktuale
Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?
Published
6 months agoon
July 25, 2024Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.
Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.
Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.
Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.
Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.
Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…
Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi
Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.
Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.
Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.
“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.
Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.
“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.
Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.
“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi
Aktuale
Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë
Published
6 months agoon
July 24, 2024Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.
Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.
Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.
Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.
Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.
Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.
Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.
Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.
Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.
“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi