“Ata kanë krijuar kaos” apo “ Ata e lanë kaosin”, janë akuzat e ndërsjella mes drejtuesve aktualë të Qendrës së skijimit “Brezovica” dhe drejtuesve të Komunës së Shtërpcës.
Qendra e skijimit “Brezovica” gjendet në vendin me të njëjtin emër, në territorin e komunës së Shtërpcës – një nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër – e cila është pjesë e Parkut Kombëtar “Sharri” në jug të Kosovës.
Në fillim të vitit 2022, Agjencia Kosovare e Privatizimit mori nën kontroll këtë qendër skijimi, e cila deri atëherë funksiononte sipas sistemit të Serbisë. Vendpushimet në kuadër të këtij resori për skijim, janë të lëna pas dore, por menaxhmenti aktual dhe Bordi drejtues po paralajmërojnë investime.
Në anën tjetër, nga komuna e Shtërpcës, e cila është nën kontrollin e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – thonë se vendimet merren në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe punëtorëve të Qendrës së skijimit.
Pas zgjedhjes së Bordit të ri menaxhues, në korrik të vitit të kaluar, kjo komunë e “ngriu” bashkëpunimin me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për gjoja ndërhyrje politike.
Kush e shkaktoi kaosin në Qendrën e skijimit “Brezovica”?
“Të shkojmë në katin e pestë për të parë se çfarë kaosi është”, thotë për ekipin e Radios Evropa e Lirë (REL), Zoran Geriq, ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Skijimit “Brezovica”.
Në katin e pestë të hotelit “Molika”, i ndërtuar në vitin 1985, i cili ndodhet pikërisht pranë pistës kryesore të skive në Brezovicë, dhomat janë me shtretër, tavolina e karrige të thyera, mure të rrënuara nga lagështia dhe me çati që pikon.
Geriq thotë se dhomat në katin e tretë dhe të katërt, të këtij hoteli të shekullit të kaluar, dukeshin ngjashëm. Sipas tij, ato janë një “trashëgimi” nga menaxhmenti i kaluar, porse janë rinovuar “në kohë rekord” me angazhimin e vetë punëtorëve.
“Punëtorët qëndruan edhe pas orarit (të punës) për të përfunduar gjithçka dhe arritëm të nisnim sezonin”, thotë Geriq, i cili u emërua menaxher i resortit të famshëm të skive në Kosovë, në dhjetor të vitit 2023.
Sipas Geriqit, plani është që me ndihmën e Agjencisë së Privatizimit të rinovohet kati i pestë i hotelit “Molika”, të ndërtohen apartamente dhe një qendër SPA.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2024/02/dgjntrj-330x188.png)
Autoritetet lokale në Shtërpcë, më 23 janar 2024, kanë njoftuar se Qendra e skijimit “Brezovica” është “në kaos” dhe se Geriq dhe Bordi drejtues po veprojnë me urdhër të Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti, “kundër interesave të qytetarëve të komunës së Shtërpcës dhe veçanërisht të punëtorëve që me dekada punojnë në Qendrën e skijimit”.
Geriq, në deklaratën e tij për REL-in, e cilëson si “komunikatë e turpshme” njoftimin e autoriteteve lokale të Shtërpcës, duke theksuar se në Qendrën e skijimit “Brezovica” punon që nga mesi i viteve ‘80 të shekullit të kaluar dhe se në karrierën e tij dyzetvjeçare i ka mbrojtur pikërisht të drejtat e punëtorëve.
Menaxhmenti aktual i Qendrës së skijimit “Brezovica” potencon se përveç dhomave, është rinovuar edhe restoranti në hotelin “Molika”.
Dragan Milovanoviq, kamerier në këtë restorant, thotë se mysafirët janë më të kënaqur.
“Kjo është ajo që kam vërejtur”, shprehet ai në deklaratën e tij për REL-in dhe shton se edhe ai ka filluar të punojë në Qendrën e skijimit “Brezovica” në vitet e ‘80-ta.
Mirëpo, Komuna e Shtërpcës pretendon se resurset e Qendrës së skijimit, duke filluar nga restorantet dhe hapësirat reklamuese, i jepen një personi që “punon dhe vepron kundër interesave të qytetarëve”.
“Resurset deri më tani i ka menaxhuar udhëheqja e Komunës së Shtërpcës, e jo drejtori (i Qendrës së skijimit) apo Bordi i drejtorëve”, u përgjigjet këtyre akuzave Filko Jovanoviq.
Ai shton se për hapësirën reklamuese nuk është paguar më parë dhe se kështu vetëm i është shkaktuar dëm Qendrës së skijimit.
“Për disa vite, kjo është bërë pa tenderë, jashtë rregulloreve. Menaxhimin e burimeve e kemi kthyer në ndërmarrje. Me atë hapësirë reklamuese është siguruar gjysma e pagave për punëtorët”, thekson Jovanoviq.
Pas publikimit të këtij artikulli, kryetari i komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, në një përgjigje me shkrim dërguar REL-it tha se Qendra e skijimit në Brezovicë është “burim i komunës së Shtërpcës dhe qytetarëve të saj”, dhe se në vitet e mëparshme “fokusi ishte në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të punëtorëve”. Ai theksoi se Qeveria e Serbisë në periudhën e kaluar ka investuar më së shumti në Brezovicë.
Jevtiq shtoi se infrastruktura e hotelit është në gjendje të keqe sepse “nuk ka pasur investime serioze”.
REL-i i është drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit nën kontrollin e së cilës është Qendra e skijimit “Brezovica”, por nuk ka marrë përgjigje./Media Ndërtimi