Bashkimi Evropian do të investojë rreth 300 miliardë euro në infrastrukturë dhe projekte të tjera, në kuadër të nismës “Porta Globale”.
Sipërmarrja e re e bllokut 27-anëtarësh shihet si konkurrencë ndaj nismës së ngjashme kineze, Brezi dhe Rruga (BRI).
Dokumenti i Komisionit Evropian, i publikuar më 1 dhjetor, përshkruan planet e Brukselit “për të forcuar rrjetet digjitale, të transportit dhe energjisë” në botë, si dhe për të investuar në “projekte që mund të realizohen me standarde të larta, qeverisje të mirë dhe transparencë”.
Nisma synon të mobilizojë një shumë prej 300 miliardë eurosh, që do të investohen deri në vitin 2027.
Nisma do të fokusohet në ndërtimin e projekteve të tilla si kabllot me fibra optike, korridoret e transportit dhe “linjat e pastra të transmetimit të energjisë”, që, siç thuhet, do të ofrojnë “investime tërheqëse dhe kushte të volitshme për biznesin, konvergjencë rregullatore [standardizim], integrim të zinxhirit të furnizimeve dhe shërbime financiare”.
Planet e BE-së vijnë në kohën kur shumë shtete perëndimore janë duke bërë përpjekje që të luajnë rol më të madh në financimin e infrastrukturës në botën në zhvillim dhe, në këtë mënyrë, të zmbrapsin nismën BRI.
BRI, prejse është lancuar në vitin 2013, është bërë një mjet i rëndësishëm i Pekinit për të zgjeruar ndikimin e tij.
Nën maskën e BRI-së, Kina ka kanalizuar qindra miliarda dollarë në infrastrukturën e huaj – nga Amerika Latine deri në Afrikë dhe Azinë Qendrore.
Planet e BE-së nuk e përmendin me emër BRI-në, projektin që mban nënshkrimin e presidentin kinez, Xi Jinping.
Megjithatë, Porta Globale është përshtatur si një program alternativ, i cili, siç thuhet në dokument, do të fokusohet në financime “të bazuara në vlera” dhe do të mbështetet në konkurrencë të drejtë dhe të hapur.
“Porta Globale do të investojë në stabilitetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe do të demonstrojë sesi vlerat demokratike ofrojnë siguri dhe drejtësi, qëndrueshmëri për partnerët dhe përfitime afatgjata për njerëzit në mbarë botën”, thuhet në dokument.
(Analizë nga Reid Standish për Radio Evropa e Lirë)./Media Ndërtimi.