Me energjinë e krijuar nga shkrirja e atomeve mund të prodhohet energji e padëmshme për mjedisin. Por sasia e energjisë është e pamjaftueshme. Pas dekadash studime në SHBA u arrit tani një sukses i rëndësishëm.
Ministria e Jashtme amerikane njoftoi arritjen e një suksesi të madh në teknologjinë e shkrirjes atomike. Shkencëtarët e National Ignition Facility (NIF), impiantit për shkrirjen me rreze lazer të atomeve, në laboratorin kalifornian, Lawrence Livermore National Laboratory kanë arritur të prodhojnë në laborator energji me ndihmën e shkrirjes së atomeve.
“Ky është një sukses i rëndësishëm për studiuesit dhe bashkëpunëtorët e National Ignition Facility, që ia kanë dedikuar karrierën e tyre shkrirjes së atomeve dhe ky sukses do të pasohet me siguri nga zbulime të tjera,” tha ministrja amerikane e Energjetikës Jennifer M. Granholm. “Shprehur thjeshtë, kjo është një nga arritjet shkencore më impresionuese të shekullit të 21-të.”
Dekada me radhë shkencëtarët kanë shpenzuar më shumë energji për reaktorët eksperimentalë të shkrirjes atomike se sa kanë fituar energji të re nga i gjithë procesi në përgjithësi. Këto humbje kanë bërë që jo bashkimi i atomeve por ndarja e atomit të kthehet në proces standard për prodhimin e energjisë së pakufizueshme dhe të padëmshme për mjedisin, megjithëse ky proces është i lidhur me rreziqe për shëndetin dhe sigurinë.
Më 5 dhjetor 2022, shkencëtarët e NIF zhvilluan për herë të parë në histori eksperimentin e kontrolluar me të cilin nga shkrirja e atomeve fitohet më shumë energji se sa harrxhohet për të arritur deri aty. Në këtë mënyrë studiuesit e prodhimit të energjisë në sasi të madhe kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt arritjes së synimit të tyre.
“E ardhmja e energjisë ”
Kush punon në sektorin e energjisë atomike e di me siguri që: Prodhimi i rrymës me ndihmë të shkrirjes së atomeve është larg 30 vjet, kjo ka vlejtur për studiuesit si para dhjetë vjetësh ashtu edhe sot. Megjithë kompleksitetin e kësaj teknologjie, ata që punojnë me të janë shumë të bindur se mundimi ia vlen.
Po pse? Shkrirja e atomeve ka potencial më të madh energjie se sa të gjithë burimet e tjera të njohura të energjisë. Me anë të saj mund të prodhohet katër milionë herë më shumë energji se sa energjia që prodhohet nga reaksionet kimike si përshembull djegia e qymyrit, naftës ose gazit dhe katër herë më shumë energji se sa energjia e prodhuar nga ndarja e atomeve, procesit që përdoret aktualisht në gjithë centralet atomike të botës.
Shkrirja atomike, zbuluar në fund të shekullit të 20-të shihet nga shumë vendimmarrës politikë sidomos të Europës si energjia e së ardhmes.
Por a është shkrirja atomike vërtet një alternativë “e gjelbërt” për metodat tona të deritanishme dhe deri ku kemi arritur të shkojmë për prodhimin e rrymës me këtë metodë?/Media Ndërtimi.