Gjumi një vjeçar i diplomacisë kosovare, ishte paraparë të mbaronte më 4 shtator të këtij viti, kur edhe përfundonte moratoriumi që parashihte që Kosova të mos aplikoj në organizata ndërkombëtare e si kundërpeshë Serbia të ndalë fushatën e ç‘njohjeve. Moratoriumi ishte njëra nga pikat e zotimeve që kishin nënshkruar në Uashtington ish kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në prezencë të ish presidentit amerikan Donald Trump.
I pyetur nga Kallxo.com nëse është bërë ndonjë përgatitje për të aplikuar në organizata ndërkombëtare, zëvendëskryeministri i Kosovës për Dialog, Besnik Bislimi tha se ‘moratoriumit i ka skaduar mandati’.
“Është me rëndësi për ta që moratoriumi ka pasur një mandat njëvjeçar, moratoriumit i ka skaduar mandati me 4 shtator”, tha Bislimi në një konferencë për media të mërkurën pas kthimit nga Brukseli.
Më 9 nëntor të vitit 2015, për tri vota, Kosova nuk kishte arritur të bëhej pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë UNESCO.
Për pranimin e Kosovës në UNESCO nevojiteshin 95 vota “për”, që nënkuptonin dy të tretat e votave të përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse në Konferencë e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila u mbajt në Paris, përderisa në favor të pranimit të Kosovës patën votuar 92 vende.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ende nuk i është përgjigjur kërkesës së Kosovës për të larguar katër monumentet e saja nga lista e objekteve që paraqesin trashëgimi kulturore të rrezikuar.
Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren janë katër monumentet që janë të renditura në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Kosova nuk është anëtare e UNESCO-s dhe e ka problem të kërkojë futjen apo ndryshimin e statusit të ndonjë monumenti të saj.
Të katër objektet religjioze ortodokse janë të regjistruara në UNESCO me kërkesën e Serbisë. Mirëpo, ato në organin më të lartë botëror të trashëgimisë janë të regjistruara si monumente religjioze ortodokse.
Kërkesën nga institucionet e Kosovës për UNESCO-n, të dërguar më 21 maj, e kanë nënshkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, me arsyetimin se “rrethanat e sigurisë në Kosovë kanë ndryshuar tërësisht nga viti i largët 2006, kur këto monumente janë vlerësuar si të rrezikuara”.
Lidhur me rrethanat e ndryshuara, të cilat janë përmendur në letrën e dërguar UNESCO-s nga krerët institucionalë të Kosovës, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo bazohet në faktin që, sipas tij, “të paktën, një dekadë nuk është raportuar asnjë incident serioz në kishat ortodokse”.
Vullneti i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, sipas ekspertit të integrimeve evropiane, Besnik Vasolli, duhet të vlerësohet si vullnet i anëtarësimit në një organizatë arsimore, shkencore dhe kulturore për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo edhe është natyra e UNESCO-s dhe jo domosdoshmërisht, sipas tij, kjo duhet të shihet nga kundërshtarët e kësaj iniciative si puro anëtarësim në një institucion politik./Media Ndërtimi.