Aktuale
Çekia i ofron Francës ndihmën e ekspertëve, për rindërtimin e katedrales së Notre Dame

Çekia është e gatshme t’ia ofrojë ndihmën e ekspertëve të vet, shtetit të Francës, për ta rindërtuar katedralen e Notre Damit, e cila pasditën e së hënës (15 prill) u kaplua nga zjarri dhe mbeti e shkatërruar.
Ministri i Kulturës në Çeki, Antonín Stanek tha se “jam i gatshëm t’i ofrojë Francës ndihëm e ekspertëve tonë, për rindërtimin e këtij monumenti me rëndësi botërore”.
“Me tmerr, po shikoj zjarrin shkatërrues në Katedralen e Notre Dame në Paris. Unë ende shpresoj se pjesa më e madhe e saj do të shpëtohet. Unë jam i gatshëm t’i ofroj Francës ndihmën e ekspertëve tonë në rivendosjen e këtij monumenti të jashtëzakonshëm, me rëndësi të madhe botërore “, u shpreh Stanek.
Shuma e mbledhur deri tani ka kaluar vlerën e një milion dollarëve, por pavarësisht nga paratë, do të nevojitet një ekspertizë e veçantë për ta rindërtuar pjesën e sipërme të objektit si dhe enterierin e saj.
E në këtë pjesë vlerësohet se mund të jetë e dobishme ndihma e ekspertëve çekë.
Për shkak të përmbytjeve shkatërruese në Pragë që ndodhën vite më parë, ky vend vlerësohet se ka zhvilluar një ekspertizë të madhe në këtë fushë.
Ambasadori i Çekisë në Francë, Petr Drulak tha se deri më tani nuk është marrë asnjë kërkesë specifike për ndihmë nga ekspertët e restaurimit dhe konservimit të Çekisë, por përgatitje të llojeve të ndryshme janë duke u zhvilluar.
“Për momentin ne po presim kërkesa specifike për ndihmë nga ana e Francës, të cilët ende janë duke e vlerësuar dëmin e shkaktuar nga zjarri”, u shpreh Drulak.
Katedralja e Notre Damit u përfshi nga një zjarr masiv të hënën rreth orës 18:30 i cili shkatërroi dritaret e qelqit dhe enterierin prej druri.
Zjarrfikësit arritën të shpëtonin strukturën kryesore 850 vjeçare nga guri, përfshirë dy kullat e saj, por pjesa e sipërme dhe kulmi u shembën krejtësisht.
Shkaktari kryesor i zjarrit ende nuk është i qartë, por zyrtarët thonë se kjo gjë mund të ketë ndodhur për shkak të një ‘lidhje të shkurtër’ elektrike./Ndërtimi.info/
