Aktuale
Haradinaj: Ngritja e pagave minimale do të ndodh, vetëm duhet të diskutojmë për sa

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mbajtur konferencën e zakonshme pas mbledhjes së Qeverisë.
Ai ka folur për ngritjen e pagës minimale, për çka edhe u diskutua dje gjatë në seancën e Kuvendit të Kosovës.
“Shenjë e mirë që po diskutohet për ngritjen e pagave minimale në Kosovë, do të ndodh rritja e pagës por duhet të diskutohet për sa do të ngritët, sepse merr kohë. Nuk ka pasur rritje nga viti 2011. Kam propozuar që rritja të lidhet me koeficient rritja e pagës, sepse nëse ka rritje të pagave, atëherë koeficienti rritet po ashtu barabartë, ka dallime por kam propozuar këtë dhe shpresoj të arrijmë një dakordim dhe do të ishte zgjidhje shume e mire dhe më realja”, ka theksuar Haradinaj.
Ai tha se kur ka nisur punën në Qeveri ka pasur staf që nuk i kanë kryer punët që u takonin.
“Unë nuk po bëj kalkulime, por vetëm po merrem me temat e shtetit, po mundohem me kry punë të vendit. Çështja e pagës minimale psh nuk është vetëm temë e votuesve të AAK, por edhe PDK, LDK, PSD, etj. Më së paku të punësuar ka nga mbështetësit e AAK-së”, ka thënë tutje Haradinaj.
Ndërsa, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka shpërthyer një debat i nxehtë në mes të ministrave që vijnë nga radhët e PDK-së dhe ministrit të Punës dhe Mirëqënies Sociale, Skënder Reçica që vjen nga Nisma, njofton Klan Kosova.
Ky i fundit ka folur për rritjen e pagës minimale dhe për këtë i kanë reaguar ashpër zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ai i Inovacionit Besim Beqaj.
Që të tre e sidomos Hoxhaj kanë thënë se është e pamundur që të ketë rritje të pagësm minimale kjo pasiqë siç tha Hoxhaj duhet një debat 10 vjeçar për të ardhur deri te ky vendim.
Në këtë i është përgjigjur Reçica i cili theksoi se ekziston një trup qeveritare që bashkë me bizneset është pajtuar se duhet të ketë rritje të pagës minimale.
Nga ana e tij, Hoxhaj ka vazhduar me replikë duke thënë se nuk mund të rritet paga minimale çdo vit.
Duke parë këtë situatë kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se në një mbledhje tjetër do të diskutohet për këtë çështje dhe më pas ka vazhduar me pikat tjera të rendit të ditës, njofton Klan Kosova.
