Aktuale
Macron premton ta rindërtojë katedralen e Notre Damit brenda pesë vitesh

Brenda pesë vitesh do të bëhet rindërtimi i katedrales ikonike të Notre Damit. Kështu ka premtuar Presidenti i Francës Emmanuel Macron, i cili tha se do të angazhohen që ta bëjnë katedralen edhe më të bukur se më parë.
Por, sipas ekspertëve riparimet ka gjasë të zgjasin me dekada dhe për këtë proces do të ketë sfida thelbësore, transmeton Ndërtimi.info.
Problemet kryesore përfshijnë sigurimin e materialeve dhe punën e kujdesshme për të ruajtur elementet e kishës të cilat kanë mbijetuar nga zjarri, por që janë dëmtuar rëndë prej tij.
Eric Fischer, kryesues i një fondacion për rikthimin e katedrales 1000 vjeçare të Strasburgut, thotë se rindërtimi i katedrales së Notre Damit, mund të merr disa dekada.
Edhe Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, tha se rindërtimi i katedrales së Notre Damit “do të zgjasë një kohë të gjatë dhe do të kushtojë shumë para”.
Donacione janë derdhur nga e gjithë bota si përpjekje për restaurimin e objektit simbol të Parisit dhe deri tani janë grumbulluar mbi 800 milionë euro.
Katedralja e Notre Damit u përfshi nga një zjarr masiv të hënën rreth orës 18:30 i cili shkatërroi dritaret e qelqit dhe enterierin prej druri.
Zjarrfikësit arritën të shpëtonin strukturën kryesore 850 vjeçare nga guri, përfshirë dy kullat e saj, por pjesa e sipërme dhe kulmi u shembën krejtësisht.
Shkaktari kryesor i zjarrit ende nuk është i qartë, por zyrtarët thonë se kjo gjë mund të ketë ndodhur për shkak të punimeve për renovimin e saj të cilat ishin duke u bërë muajt e fundit./Ndërtimi.info/

